LajmeMaqedoni

Murtezani: Ndryshime kushtetuese do ketë kur të jemi të sigurt se nuk do kemi veto potenciale nga Bullgaria

Seriozisht punojmë për tejkalimin e problemit me integrimet tona evropiane, ndërsa ndryshime kushtetuese do të ketë kur do të jemi të sigurt se nuk do të kemi veto potenciale nga Bullgaria dhe kur do të gjejmë zgjidhje e cila do ta garantojë përfundimin e këtij procesi, porositi sot ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me Bashkimin Evropian, Orhan Murtezani.

“Edhe në gjuhën maqedonase kam deklaruar se asnjëherë nuk kam thënë se do të dalim nga Qeveria nëse nuk ka ndryshime kushtetuese në fund të vitit. Kur e formuam Qeverinë nuk e bëmë këtë me një këmbë jashtë, ndërsa me tjetrën brenda dhe jo me shantazhe se do të dalim nga Qeveria”, tha Murtezani në përgjigjen e pyetjes në mbledhjen e sotme në kuvend kushtuar pyetjeve të deputetëve.

Theksoi se nuk mban qëndrimi se Qeveria e re e ka bllokuar rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Kjo është sikur ju t’i kishit hapur të gjithë kapitujt dhe tani ne jemi ata që e sabotojmë këtë proces që nuk është e vërtetë. Ka vetëm dallim në qasjen të cilën e kemi ne nga ajo që është bërë deri më tani. Ne nuk shërbehemi me PR si ju, por themi se do të bëjmë përpjekje të gjejmë zgjidhje”, tha Murtezani.

Se Qeveria e re punon në gjetjen e zgjidhjes, siç tha, kanë konfirmuar të gjithë përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë të cilët e kanë vizituar vendin.

“Qeveria nuk punon vetëm në mënyrë deklarative, por punon seriozisht për tejkalimin e problemit. Nuk është me rëndësi se sa muaj do të zgjasë kjo. Kur do të jemi të sigurt se nuk do të kemi veto potenciale nga Bullgaria atëherë ndryshimet kushtetuese do të vijnë para jush në Kuvend dhe do të jenë vetëm çështje teknike që të sigurojmë 80 deputetë”, potencoi Murtezani.

 

Show More

Related Articles

Back to top button