LajmeMaqedoni

Taravari: poliklinikat dhe klinikat në qytetet tjera kanë mjekë, por nuk i trajtojnë pacientët

Mjekët amë dhe shëndetësia terciare punojnë shumë me pacientët, kurse në atë sekondare vërejmë se kemi mjaft mjekë, por numër të pamjaftueshëm të pacientëve të trajtuar, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Poliklinikat dhe klinikat janë institucione në kujdesin shëndetësor sekondar, dhe spitalet në kujdesin shëndetësor terciar, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen e gazetarëve për gjendjen me aparatet rëntgen në shëndetësinë publike, pas dje në rrjetet sociale shpërndahej deklarata e një mjeku amë se ose nuk ka termine ose nuk punojnë aparatet, ministri tha se pothuajse nuk ka spitale në vend që nuk ka aparat rëntgen funksional, përveç ndonjë qendre shëndetësore.

“Nuk kam informacion se aparatet rëntgen nuk funksionojnë, shumica funksionojnë. Jam dakord që shumica e pacientëve, edhe ata që duhet edhe ata që nuk duhet, dërgohen në Klinikën e Fëmijëve. Decentralizimi që ne po promovojmë në sistemin shëndetësor është në atë drejtim. Shumica e pacientëve që mund të trajtohen brenda, trajtohen atje. Pediatrit amë nuk duhet t’i dërgojnë të gjithë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, natyrisht, përveç atyre të patjetërsueshme. Sipas shifrave të ‘Termi im’, duhet të gjejmë një mënyrë për t’i mbajtur pacientët në kujdesin sekondar shëndetësor”, tha Taravari pasi promovoi një investim të një firme private në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve.

Taravari tha se me rastin e vdekjes së foshnjës 7 muajshe, Komisioni në Ministrinë e Shëndetësisë ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë gabim mjekësor.

Ministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për Drejtorinë Elektronike të Shëndetësisë “Termi im” që edhe specializantët të kenë qasje në sistem dhe të shkruajnë raport, jo vetëm specialistët dhe se po bëhen përgatitje me Odën e Mjekëve që edhe ata të marrin vula.

Mirëpo, pavarësisht se ministri deklaron që ka mjaftueshëm mjekë edhe në qytetet tjera, në fund të dhjetorit 2024, ai tha se deri në vitin 2030, pikërisht për mungesë mjekësh, do të mbyllen repartet e njëjta në qytete të afërta dhe për këtë janë angazhuar profesorë dhe ekspertë nga Ministria e Shëndetësisë që punojnë në një Strategji të re Shëndetësore.

Taravari pranoi se problemi i mungesës së personelit mjekësor në shëndetin publik është vënë në dukje nga Komisioni Evropian në disa raporte radhazi.

 

Show More

Related Articles

Back to top button