Imunizimi midis fëmijëve në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut ka rënë ndjeshëm, thonë mjekët vendas. Mosbesimi, dyshimet, “konsultimet” nga rrjetet sociale janë disa nga arsyet pse prindërit nuk i çojnë fëmijët për vaksinim, raporton Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse në vitin 2000, Maqedonia e Veriut mori mirënjohje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi mbulimi i vaksinimit për disa vaksina ishte më i madh se 95 përqind, kjo përqindje tani është më e ulët, thotë Katerina Stavriq, pediatre në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Pandemia e Covid, thotë ajo, ndikoi në këtë trend negativ.
“Pas Covid-it, 2022, 2023, pothuajse të gjitha vaksinat i kemi nën 90%, përveç vaksinës së Hepatitit që merret në maternitet dhe BSZ, të gjitha vaksinat e tjera janë nën 90%, që është një rrezik që t na paraqiten sëmundje. Dhe po e shohim atë. Kemi kollë të keqe, jemi në kufi me fruthin dhe me këtë mbulim mund të kemi lehtësisht një epidemi, siç kemi pasur në vitin 2018”, thotë Stavriq.
Niveli më i ulët i vaksinimit është për vaksinën HPV, rreth 50 përqind, si dhe për dozën e parë të vaksinës së fruthit. Ndryshe nga rajonet e tjera në vend, situata është disi më e mirë në rajonin Ohër-Strusë.
“Veçanërisht për vaksinën gjashtëvalente, imunizimin kundër poliomielitit, hepatitit B, difterisë dhe kollës së keqe, përqindja është mbi 97 përqind për vitin 2024, ndërsa vaksina primare për Hepatitin B dhe kundër tuberkulozit e dhënë në muajin e parë është 100 përqind”, thotë Jovanka Strulakova Korovesoska, epidemiologe në Qendrën për Shëndet Publik në Ohër.
Përveç pandemisë Covid, mjekët tregojnë edhe arsye të tjera për përqindjen e ulët të imunizimit.
“Ka disa faktorë. Besoni, prindër që janë gjithnjë e më shumë hezitues dhe kanë pyetje. Ata shpesh kërkojnë përgjigje për këto pyetje në rrjetet sociale. Këtu marrin dezinformata, konsultohen me prindërit e tjerë dhe prapë marrin dezinformata”, thotë pediatri Stavriq.
Në rajonin e Ohrit përqindja e vaksinimit me vaksinën MRP, përkatësisht kundër fruthit, rubeolës dhe parotitit është më e ulëta.
Për të rritur shtrirjen e imunizimit, është mirë të mendohet për një vaksinim më intensiv në terren në shkolla dhe zona rurale, sugjerojnë mjekët.