Thirrjet në rrjetet sociale për bojkotimin e tregjeve të mëdha të premten në vend morën një kuptim më serioz pasi u mbështet nga shoqata, lëvizje dhe faktorë politikë. Ideja është që të premten, sipas shembullit të Kroacisë, të bojkotohet tregjet dhe në këtë mënyrë të shfaqet një revoltë ndaj çmimeve të larta nëpër dyqane.
Në vendet e rajonit ka një rezistencë më të organizuar. Në Kroaci tashmë ka pasur bojkot të premten e kaluar dhe ka rezultuar i suksesshëm, në Serbi edhe organizata “Effectiva” ka bërë thirrje për bojkot të katër zinxhirëve të tregjeve që, siç thonë ata, manipulojnë çmimet.
Kroatët ishin të parët që nisën këto aksione, të cilët po vazhdojnë me masa më radikale duke pasur parasysh se ka thirrje për të mos bërë pazare për një javë të tërë. Ka pasur njoftime për bojkot të tregjeve dhe zinxhirëve të mëdhenj në Bosnje-Hercegovinë dhe Slloveni.