
Vala e emigracionit të të rinjve ka prekur thuajse të gjitha profesionet në vend.
Të tërhequr nga pagat më të larta dhe me synimin për t’u përfshirë në tregje më të gjera profesionale, largimi i të rinjve, veçanërisht i atyre me përvojë pune 3 apo 4-vjeçare, është një nga problematikat më të mprehta që po përballen sektorët në vend.
Shifrat e largimit të rinisë janë shqetësuese në nivel shtetëror. Prindërit me lot në sy çdo vit presin dhe përcjellin fëmijët e tyre. Organizatat rinore dhe sociologët alarmojnë: Nëse autoritetet nuk gjejnë zgjidhje, do ngelim pa rini. Ndërsa Ministria e Rinisë premtoi plan për kthimin e të rinjve në vendlindjen e tyre dhe duke u ofruar kushte të favorshme.
Derisa stacionet a autobusëve dhe aeroportet janë plotë me të rinj që largohen nga vendi, të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave nga baza e të dhënave Makstat të cilat i analizoi Portalb.mk thonë se nga viti 2014 deri më 2023 nga Maqedonia e Veriut janë larguar 3,353 të rinj nga mosha (15-34). Siç shihet nga shifrat, numri i atyre që largohen është ndjeshëm në rritje nga viti 2019 e këndej
Megjithatë ky numër besohet të jetë shumë herë më i lartë.
Problemin me migrimin e të rinjve të RMV-së e thekson edhe raporti “Migrimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, profili i shtetit 2021” nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).