Përmes kontrolleve dhe masave preventive Sektori për Punë të Brendshme – Strugë do të punojë në parandalimin e të shtënave nga armë zjarri në ahengje familjare, përdorim të paautorizuar të fishekzjarrëve dhe përdorim të mjeteve piroteknike në dasma dhe ahengje të tjera.
Zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski sot informoi se të gjitha aktivitetet e këtilla ilegale do të sanksionohen në mënyrë adekuate me parashtrim të paraqitjeve adekuate kundërvajtëse dhe penale.
Të shtënat, sqaroi, janë në kundërshtim me Ligjin për shkelje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa gjoba në të holla për lloj të këtillë të kundërvajtjes është prej 200 deri 500 euro. Krahas kësaj, varësisht nga pasojat, të shtënat mund të paraqesin edhe vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, për çka është paraparë edhe dënimi me burg prej një deri pesë vite.
“Përkujtojmë se fishekzjarrët e dasmave detyrimisht duhet të paraqiten në stacionet e policisë apo sektorët e rajonit në të cilin organizohen, varësisht nga kategoria e tyre, ndërsa organizuesit duhet t’i zbatojnë me kohë masat e caktuara preventive”, tha Dimoski.
U bëri thirrje qytetarëve, dasmat dhe ahengjet e tjera familjare, t’i festojnë pa përdorim të armëve me çka, do t’i evitojnë rreziqet nga përdorimi i tyre për jetën e pjesëmarrësve në to dhe do të mundësojnë festim të sigurt të ahengjeve familjare.