![](https://globi.mk/wp-content/uploads/2025/02/Von-der-Leyen-27-April-2022-696x391-1.jpg)
Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen u zotua të martën se tarifat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çelikun dhe aluminin “nuk do të mbeten pa përgjigje”. Ajo është zotuar për kundërmasa të ashpra nga blloku 27-vendesh.
“BE-ja do të veprojë për të mbrojtur interesat e veta ekonomike”, ka thënë Von der Leyen në një deklaratë ndaj vendosjes së tarifave të presidentit amerikan Donald Trump për çelikun dhe aluminin një ditë më parë.
“Tarifat janë taksa – të këqija për biznesin, më keq për konsumatorët”, ka thënë von der Leyen. “Tarifat e pajustifikuara ndaj BE-së nuk do të mbeten pa përgjigje – ato do të shkaktojnë kundërmasa të forta dhe proporcionale”.
Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz i ka thënë parlamentit se “nëse SHBA-ja nuk na lë zgjidhje tjetër, atëherë Bashkimi Evropian do të reagojë i bashkuar”, duke shtuar se “në fund të fundit, luftërat tregtare gjithmonë i kushtojnë të dyja palëve prosperitet”.
Trumpi ka vendosur tarifa për çelikun dhe aluminin e huaj me një taksë 25% me shpresën se ato do t’u japin prodhuesve vendas lehtësim nga konkurrenca globale. Ai vendosi tarifa të ngjashme gjatë presidencës së tij të parë, por masa dëmtoi marrëdhëniet me aleatët kryesorë të SHBA-së.