![](https://globi.mk/wp-content/uploads/2025/02/rog-620x330-1.jpg)
Konsumi i lëndëve narkotike mes të rinjve po bëhet një problem gjithnjë e më shqetësues. Profesori universitar dhe psikologu Lulzim Murtezani, në një intervistë për Alsat, theksoi se fenomeni i drogës është kompleks dhe parandalimi i tij është jashtëzakonisht i vështirë.
“Grupmosha më e rrezikuar janë të rinjtë 15 vjeçarë, ata që për shkak të kureshtjes mund të devijojnë në rrugën e tyre,” tha Murtezani, duke shtuar se faktorët kryesorë që i shtyjnë të rinjtë drejt drogës janë mungesa e eksperiencës, kureshtja, përjetimi i traumave, ankthi dhe ndjenja e të qenit të tjetërsuar nga shoqëria.
Ai theksoi nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër këtij fenomeni, duke përfshirë shkollat, familjet, shoqatat dhe mediat.
“Nëse nuk gjejmë hapësirë për dialog dhe vetëdijesim, të rinjtë mund të bien viktimë e manipulimeve dhe rrëshqasin lehtësisht në këtë rrugë.”, theksoi Murtezani.
Sipas tij, shoqëria shpesh e neglizhon këtë problem, ndërsa tregtia dhe konsumimi i drogës po bëhen gjithnjë e më të dukshme mes të rinjve, pa ndonjë reagim serioz nga institucionet.