
Derbi i Italisë “vishet” bardhezi, me Juven që bën “Zonjën e Vjetër” duke triumfuar përballë Inter, një sukses minimal 1-0, por jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi ekipi i Thiago Motta-s kap provizorisht zonën Champions, në vendin e katërt me 46 pikë, po aq sa edhe Lazio. Inter nuk përfiton nga blofi i radhës i Napolit, me zikaltërit që e shohin veten në vendin e dytë, 2 pikë larg bluve kryesues. Në “Stadium” u zhvillua një ndeshje e bukur, me raste për shënim nga të dy ekipet.
Shansi i parë i pastër i shkoi Inter, me Taremin që provoi me një veprim akrobatik, ndërsa Juve iu përgjigj me një zbritje të shpejt në sulm, por në dy raste Sommer mbajti portën të paprekur. Dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, me sulme-kundërsulme, provoi edhe Lautaro, i shërbyer pastër në zonë, por goditja e kapitenit shkoi mbi traversë. Në fundin e pjesës së parë, Dumfries depërtoi deri në zemër të zonës së Juves, por goditja e tij u ndal në shtyllën pingule.
Historia u përsërit sërish në pjesën e dytë, me holandezin që goditi sërish shtyllën, por gjyqtari i takimit anuloi aksionin për faull në sulm. Momenti më përcaktues i këtij takimi erdhi në minutën e 74-ët, ku Kolo Muani insistoi në zonë, topi shkoi te Conceiçao që me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë dhe tifozët e Juves në delir. Goli i portugezit qëndroi në fuqi deri në fund, me Juven që feston me të drejtë për këtë fitore të madhe në Derbin e Italisë: