LajmeRajon

NATO mohon zërat për tërheqjen e ushtarëve Amerikan nga Kosova

KFOR-i ka mohuar raportimet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Në anën tjetër NATO ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara plotësisht në Aleancë me një rol kyç në misionin paqeruajtës në Kosovë. Njohësit e sigurisë vlerësojnë se për shkak të interesit strategjik, SHBA-ja do ta ketë të pamundur tërheqjen e ushtarëve të saj. Ndërkohë, institucioneve iu bëhet thirrje për angazhim më të madh në thellimin e bashkëpunimit me administratën Trump.

Në këtë kohë kur po raportohet në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare për mundësin e tërheqjen së ushtarëve Amerikan të KFOR-it nga Kosova, NATO përmes një ushtrimi në kampin Bonstel gjatë ditës ka treguar se KFOR-i është i bashkuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“KFOR të udhëhequr nga #NATO, u bashkuan për një marshim në kampin Bondsteel, Kosovë. Trajnimi së bashku i mundëson KFOR-it të jetë më i fortë së bashku, duke punuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Raportimet për tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Kosova, i ka hedhur poshtë edhe KFOR-i.

“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme”.

Raportimet për tërheqjen e ushtarëve Amerikan të KFOR-it nga Kosovë u shtuan pas një shkrimi në gazetën gjermane “BILD” ku u tha se ekziston mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga KFOR-i. Për më tepër, Italia thuhet se po përgatitet për këtë skenar, duke qenë se është vendi me më së shumti trupa ushtarakë në Kosovë. Por, as presidenti Trump e as zyrtarët e tij nuk e kanë thënë një gjë të tillë. Presidenti Trump përmes një reagimi ka lënë të kuptohet se nëse arrihet një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, numri i ushtarëve Amerikan në Evropë mund të reduktohet.

Gjenerali në pension, Kadri Kastari, vlerëson se Ballkani Perëndimor sidomos Kosova vazhdon të jetë prioritet strategjik për SHBA-të. Sipas tij, nuk mund të flitet tani për tërheqjen e ushtarëve amerikan nga Kosova.

“Kjo është vetëm një supozim se do të hiqen trupat Amerikane sepse presidenti apo administrata Trump nuk ka thënë se nuk do ti largoj të gjitha trupat, por do ta reduktoj numrin e forcave Amerikane në Evropë. Duke pasur parasysh që Ballkani Perëndomor është në vijë me interesat gjeopolitike të SHBA-së dhe qëllimi i tyre është që Rusia të mos dominoj në këtë pjesë të Evropës, kështu që Bonsteel dhe Kosova do të jenë edhe më tutje interes i SHBA-së dhe nuk do ti tërheqin trupat nga Kosova”, tha Kastrati për rtv21.

Drejtori i Institutit të Kosovë për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Florim Rullani, vlerëson se raportimet në mediat ndërkombëtare për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova janë një sinjal për Qeverinë e Kosovës.

“Në realitet ne e pamë në gazetën “BILD” sigurisht është mesazh diplomatik përvec atij të sigurisë. Në aspektin e diplomatik është qortimi i thellë ndaj politikës së jashtme të Kosovës. Ndërsa, në aspektin e sigurisë nuk ka ndikim të madh sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës nga Këshilli i Sigurimit me rezolutën 1244 e cila është në fuqi”, tha Rullani për rtv21.

Gjeneral Kastrati dhe njohësi i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare Florim Rullani presin nga Qeveria e re që të ketë qasje më bashkëpunuese me administratën Trump.

“Çka duhet të bëjë tash Qeveria në ardhje është se duhet ta ngrisin komunikimin në nivel më të lartë me SHBA-të duke e ngritur edhe bashkëpunimin. Unë mendoj se shumë më mençur kishte me qenë që 500 mijë euro që i kanë dhënë për një shtet sic është Palestina e cila nuk na ka njohur është që do t’ia kishin dhënë pjesës lobuese në SHBA dhe ta ngrisim bashkëpunimin me administratët Trump. Qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet numër një bashkëpunimin me SHBA-në”, tha Kastrati.

“Politika e jashtme e Kosovës duhet të ketë një reflektim më substancial sepse politika e jashmte matet me rezultate konkrete. Në Qeverinë e kaluar ka pasur shumë udhëtime në SHBA por kjo demanton gjithë atë rezultat të paraqitur jo real në publikun e Kosovës”, tha Rullani.

Në një analizë të gazetës “Financial Times” thuhet se presidenti i Rusisë Putin dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se ka gjasa që Trumpi do të pajtohet për tërheqjen e trupave amerikane nga Baltiku dhe ndoshta edhe më në perëndim. Ndërsa, sipas të dhënave të gazetës gjermane “Bild”, bazat që tani për tani nuk janë në diskutim për tërheqjen e ushtarëve të KFOR-it Amerikan janë ajo e “Ramstein” të Gjermanisë dhe bazat e forcave ajrore në Britani./RTV21/21Media

 

Show More

Related Articles

Back to top button