
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nënshkroi dekretet për tërheqjen e tetë ambasadorëve nga detyra, pasi siç njoftojnë nga presidenca, ata shkuan në ato pozita pa e përmbushur obligimin ligjor para trupit punues të Kuvendit.
Në përputhje me dekretet e miratuara, thirren: Jakup Rexhepi nga posti i Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Bosnje e Hercegovinë, me seli në Sarajevë, Xhenk Sejfulla nga posti i Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Mbretërinë e Suedisë, me seli në Stokholm, Metodija Belevski, Ambasador i Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë në Mbretërinë e Belgjikës dhe Ambasador i Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, me seli në Bruksel, Agnesa Rusi Popovska, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë në Republikën e Bullgarisë, me seli në Sofje, Emil Krsteski, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën Çeke, me seli në Pragë, Pajo Aviroviq, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë dhe shef i Misionit të Përhershëm pranë Organizatave Ndërkombëtare, me seli në Vjenë, Zeqir Ramçiloviq Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Mal të Zi me seli në Podgoricë dhe Katerina Stavreska nga detyra e Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandën Veriore, me seli në Londër.
Siç njoftoi Kabineti Siljanovska-Davkovës, ambasadorët e emëruar janë të obliguar ligjërisht, para se të emërohen, t’i paraqesin vërejtjet e tyre për marrëdhëniet me vendin pritës ose organizatën ndërkombëtare para trupit punues të Kuvendit përgjegjës për politikë të jashtme, dhe tetë nga nëntë ambasadorët e tërhequr nuk e kanë bërë këtë. Një ambasadore është duke u tërhequr në procedurë të rregullt për shkak të përfundimit të mandatit të saj.
Presidentja Siljanovska-Davkova solli edhe dekret për tërheqjen në procedurë të rregullt të Svetllana Geleva nga pozita e Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë dhe përfaqësuese e përhershme në Këshillin e Evropës me seli në Strasburg, për shkak të përfundimit të mandatit të saj.
Në përputhje me dekretet e miratuara, detyrat e ambasadorëve do të përfundojnë më 30 prill të vitit 2025.