LajmeRajon

‘Peja si qytet i Serbisë’/ Autoritetet në Mal të Zi nisin hetimet, kush e vuri tabelën

Ministria e Transportit e Malit të Zi ka urdhëruar më 7 prill Inspektoratin e Rrugëve që të hetojë rastin e vendosjes së një shenje rrugore në Plavë, ku qyteti i Pejës, që ndodhet në Kosovë, ishte shënuar si pjesë e Serbisë

Shenja u hoq më 6 prill, por nuk dihet saktësisht kur ishte vendosur.

Ministria nuk ka dhënë përgjigje për Radio Evropën e Lirë se kush dhe kur ka urdhëruar vendosjen dhe më pas heqjen e shenjës kontestuese në vendbanimin Murinë, që i përket Komunës së Plavës, në veri të Malit të Zi, afër kufirit malazezo-kosovar.

“Drejtoria e Transportit është përgjegjëse për vendosjen e sinjalizimit rrugor përgjatë rrugëve magjistrale dhe rajonale. Ministria është në dijeni për rastin në fjalë dhe kemi urdhëruar Inspektoratin që të dalë në terren dhe të veprojë në përputhje me gjendjen faktike dhe ligjin” thuhet në reagimin e saj.

Fotografia me këtë shenjë rrugore u shpërnda të dielën në rrjetet sociale.

Sipas Ligjit për sigurinë e komunikacionit, për vendosjen e sinjalizimit rrugor është përgjegjëse Drejtoria e Transportit me pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

REL-i i ka drejtuar pyetje MPB-së se kush e ka urdhëruar prodhimin dhe vendosjen e tabelës, përmbajtja e së cilës bie ndesh me njohjen e shtetit të Kosovës nga Mali i Zi, por nuk ka marrë përgjigje.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj. Në krye të Ministrisë së Transportit të Malit të Zi është një përfaqësuese e Frontit Demokratik (DF), parti që gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk