Me rastin e katërvjetorit të vdekjes së Adem Demaçit sot janë bërë nderime tek gurthemeli i shtatores së tij.
Përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës kanë bërë homazhe tek sheshi “Adem Demaçi”, duke vendosur buqeta lulesh në gurthemelin e shtatores së Adem Demaçit.
Kryetari i shoqatës, Hydajet Hyseni, me këtë rast tha se Mandelën e Kosovës do ta kujtojnë gjithmonë si një njëri frymëzues dhe se vepra e tij do të mbetet gjithmonë rrezatuese.
Deputeti Hyseni tha se Adem Demaçi është sinonim i vlerave më të mira njerëzore
“Vitet po lëvizin shpejt por emri dhe vepra e Adem Demaçit mbetet gjithmonë rrezatuese, obliguese dhe gjithmonë frymëzuese. Adem Demaçi ka qenë frymëzues i brezave dhe është sinonim i qëndresës, parimësisë, i ndershmërisë, i përkushtimit dhe vlerave më të mira njerëzore, atdhetare. Si të tillë do ta kujtojmë gjithmonë”, tha ai.
Edhe Behram Krasniqi e kujton Demaçin si një luftëtar të denjë, derisa tha se ai do të mbetet inspirues për të gjitha gjeneratat e tashme.
“Në kohën e luftës çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, baca Adem Demaçi pranoi të ishte përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së, në mes të Prishtinës… Jam i bindur që do të jetë vepra tij edhe mbas vdekjes së tij, do të jetë inspirues i madh për gjeneratat e tashme se si duhet të luftohet dhe ndërtohet shteti i Kosovës dhe shteti i përbashkët shqiptar në Ballkan, Shqipëria etnike”, tha ai.
Po ashtu në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, sot është përuruar libri “Libri i burgosur – gjarpinjtë e gjakut”, i autorit Selatin Novosella./KP/