Banorët e fshatit Pallçishtë, të Bogovinës bllokuan rrugën rajonale Tetovë – Gostivar duke shprehur në këtë mënyrë pakënaqësinë e tyre për mungesën e ujit. Fajin kryesor ia hedhin komunës së Bogovinës. Banorët thonë se premtime ka vazhdimisht, por për dy dekada nuk është bërë as investimi më i vogël në Pallçishtë. Protesta do të vazhdojë deri në gjetjen e zgjidhjes.
“Njëzet vite asnjë investim nuk është bërë në fshatin tonë, ne kemi ndenjur këtu nuk e kemi ngrit zërin. Nga sot e tutje, protestat do vazhdojnë të jenë edhe para komunës. Në Pallçishtë duhet të vij komuna me njerëzit ta shohin hallin tonë se s`kemi ujë, njëzet vjet na mashtrojnë. Shkon njëri vjen tjetri dhe na premton edhe ai, më nuk durojmë kështu”.
“Në vitin 2022 kemi dalë kërkojmë ujë, ky është turp që nuk mbulohet. 30 vite të tranzicionit anashkalohet fshati dhe s`ka ujë të pijshëm. Turp i turpit është ky s`di çka të them tjetër”.
“Fund të fundit ne do organizohemi vetë ta sjellim ujin, komuna le të rri me premtime të veta”.
Pas protestës, me qëndrim ka dalë komuna e Bogovinës. Sërish premtoi se brenda ditëve do të fillojnë punimet për ujësjellësin e këtij fshati.
“Projekti veçmë ka kaluar, dhe tenderin e ka fituar një firmë nga fshati Kallnik, por vetëm se presim afatin e ankesave, ndërsa kur do të fillojnë punimet këtë e di më së miri Ministria e Transportit se ata e kanë hapur thirrjen”, tha Besnik Emshiu. Kryetar i komunës së Bogovinës.
Pallçishti mungesën e ujit, nuk e ka problemin e vetëm. Të shumta janë mungesat në infrastrukturë. Trotuarin, kanali për vaditje të fushave, por edhe lidhja me autostradën, premtohen për vite të tëra, ndërsa realizimi nuk shihet askund./Alsat.mk/