
Këtë javë, Gjeneral Major Stephen Osborn, gjeneral adjutant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me udhëheqësit kryesorë të vendit dhe kadetët ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku theksohet rëndësia e kësaj vizite për marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy forcave.
Gjatë vizitës së tij, MG Osborn diskutoi përgatitjet për rotacionin e ardhshëm të Qendrës së Trajnimit të Përbashkët të Gatishmërisë së FSK-së si dhe për pjesëmarrjen në stërvitjen ndërkombëtare Defender 2025, një ndër stërvitjet më të mëdha ushtarake në rajon.
“Këtë javë, gjenerali i Gardës Kombëtare të Iowas, Stephen Osborn erdhi në Kosovë për t’u takuar me udhëheqësit kryesorë dhe për të folur me kadetët ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Gjatë vizitës së tij, MG Osborn diskutoi për përgatitjet për rotacionin e ardhshëm të Qendrës së Trajnimit të Përbashkët të Gatishmërisë së FSK-së dhe pjesëmarrjen në Stërvitjen #Defender2025. Vizita përforcoi partneritetin 14 vjeçar ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe FSK-së, pasi të dyja forcat vazhdojnë të punojnë krah për krah në mbështetje të tranzicionit të FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale dhe një të ardhme më të sigurt”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/