
BE është e vetmja alternativë, tha kryeparlamentari Afrim Gashi në debatin e përkushtuar agjendës reformuese. Ai paralajmëroi se do t’u kushtohet obligimeve të marra dhe ligjeve që do të arrijnë në Kuvend duke shtuar se edhe retorika parazgjedhore duhet të jetë racionale.
“Pikërisht për këtë arsye duhet të tregojmë mençuri dhe vizion. Eurointegrimet duhet të jenë tema që i bashkon linjat e të gjitha subjekteve politike sepse ky është i vetmi projekt shtetëror që kërkon konsensus të gjerë dhe vullnet të përbashkët”, tha Afrim Gashi.
Me Gashin u pajtua deputeti nga VMRO-DPMNE, Antonijo Milloshoski i cili kohë më parë e kritikoi ministrin e drejtësisë se vonohet me ligjet e agjendës.
“Periudha parazgjedhore ndonjëherë do të sjellë më shumë politizim të kritikave në vend të cilësisë së tyre. Megjithatë si deputetë, pa dallim nëse vijmë nga pushteti apo opozita duhet të jemi kritikë, në mënyrë të arsyetuar, ta rrisim produktivitetin e pushtetit ekzekutiv”, deklaroi Antonijo Milloshoski.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës Venko Filipçe thirri për bashkim për procesin e eurointegrimeve.
“Ndodhin shumë lëvizje gjeostrategjike, po diferencohen qendra të reja të fuqisë. Ne duhet të mbetemi në anën e partnerëve tona strategjikë – SHBA-të por edhe BE-ja”, tha Venko Filipçe.
Zëvendësambasadori i BE-së, Ben Nupnau kërkoi aksion nga Qeveria dhe Kuvendi për reformat dhe dialog mes të gjitha subjekteve politike.
“Plani për rritje dhe Agjendën reformuese nuk janë zëvendësim për anëtarësimin në BE, por janë mënyrë për përgatitjen e vendit për anëtarësim”, u shpreh Ben Nupnau.
Në debatin mori pjesë edhe Vlladimir Drobnjak, ish negociues kryesor për anëtarësimin e Kroacisë. Sipas tij edhe në kushte të pasigurisë, Unioni mbetet e fuqishëm dhe relevant ndërsa zgjerimi në 2030 është reale dhe diçka që mund të arrihet.