
Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së deklaruan të mërkurën më 23 prill se do të paraqesin së bashku parashtrim sa i përket mocionit për rrëzimin e aktakuzës.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes që po mbahet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ata kërkuan afat deri në mes të qershorit për të bërë dorëzimin.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në sallën e gjyqit, ndërkaq Jakup Krasniqi po merr pjesë në konferencë përmes video lidhjes.
“Të katër ekipet kanë synim të paraqesin parashtrim në bazë të rregullës 130, së bashku…Në diskutim me ekipet e mbrojtjes duke pasur parasysh vëllimin e materialit si provë që janë paraqitur nga ZPS-ja, qëndrimi ynë është se do të na duhen 14 ditë nga data e vendimit të fundit të trupit gjykues lidhur me provat e paraqitura nga prokuroria. 14 ditë kërkojmë që do ta na çonte të themi në qershor, duke supozuar që juve do tu duhen, supozoj një muaj t’i zgjidhni këto çështje…Nëse ju do të jepni vendimin më herët, mendoj që parashtrimi ynë do të ishte nga mesi i qershorit”, shtoi Misetiq.
Edhe mbrojtja e Veselit, avokati Dixon tha se mesi i qershorit duhet të jetë koha për paraqitjen e parashtrimit.
“Ne kërkojmë që mesi i qershorit të ishte koha kur duhet të paraqesim parashtrimin tonë”, tha Dixon.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, kjo nuk nënkupton zgjatje të afatit.
“Ne nuk e quajmë zgjatje por shtyrje të afatit, sepse nuk e dinim që kishte kaq shumë material… Duke marrë parasysh faktin që do të paraqesim parashtrim së bashku të gjithë, propozojmë të jetë 20 mijë fjalë, secili nga ne ka të drejtë të paraqesë nga 6 mijë fjalë, kështu do të ishte 4 mijë fjalë më pak se nga çka na takon”, tha ai.
Konferenca po vazhdon me fjalën e mbrojtësit të viktimave.
Ish-eprorët e UÇK-së ngarkohen për krime të pretenduara të luftës për të cilat të gjithë prej tyre janë deklaruar të pafajshëm.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 dhe çështja e prokurorisë ka përfunduar pas dy vjet të procesit gjyqësor./Telegrafi/