
Deputeti nga radhët e partisë Lista Guxo në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Faton Peci deklaroi se Kosova nuk guxon që të ketë vakum institucional.
Kështu u shpreh ai derisa u pyet sa i përket kallëzimit penal të paralajmëruar nga Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë thënë se po mbahen zyrat jashtëligjshëm, raporton KosovaPress.
Pas ndërprerjes së seancës konstitutive, Peci tha se deri në formimin e qeverisë së re “duhet të jemi kujdestar në punën tonë”.
“Ne jemi të bindur se Kosova kurrqysh nuk guxon të mbes pa institucione. Qe një pyetje hipotetike: ku duhet me lexua raportin e AKI-së kryeministri i vendit, në një rast të një sulmi cili do të jetë urdhri politik që duhet të jepet prej ministrit të Punëve të Brendshme, nga cila zyre. Kosova në asnjë rrethanë dhe në asnjë formë nuk guxon që të ketë vakum institucional deri në themelimin e qeverisë së re ne duhet të jemi kujdestar në punën dhe në angazhimet tona të përditshme”, u shpreh ai.
Ai tha se po ka përpjekje të vazhdueshme për të kontestuar emrin e kandidates për kryeparlamentare.
“Unë vazhdimisht që po bëhet përpjekje të kontestohet emri dhe personaliteti i kandidates që ne e kemi prezantuar. Të gjithë ata që vinë unë mundem me nda me juve numrin e votave, mundemi me ju dhënë kush do që del me fol me i pyet sa vota i ki t’i që po e konteston personalitetin e Albulenës…Pse me pas propozim tjetër, ne nuk përzihemi se kush do të jenë kandidaturat prej opozitës prej partive tjera”, shtoi ai.
Ndryshe, seanca konstituive ka dështuar sot për të pestën herë me radhë.
E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë sërish votat për kryetare të Kuvendit.
Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.
Vazhdimi i seancës konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00. /Telegrafi/