
Nga BDI thonë se shumica parlamentare po tenton t’ia heq statusin juridik Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke e vendosur nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë. Nga BDI thonë se nuk do të lejojnë heshtjen, ose shuarjen e këtij institucioni.
“Shumica parlamentare tani po e godet drejtpërdrejt Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përmes ndryshimeve të reja në ligj, madje me procedurë të shkurtuar, duke tentuar t’i heqë statusin e personit juridik dhe ta shndërrojë në një zgjatim politik të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo nuk është hera e parë që tentohet kjo rrugë. E provuan më herët përmes ndryshimeve në Ligjin për Mbikëqyrjen Inspektuese, por dështuan, sepse ligji special ka përparësi ndaj ligjit të përgjithshëm. E thamë atëherë dhe e përsërisim tani: ky institucion nuk mund të nënshtrohet politikisht, sepse është i mbrojtur me ligje të veçanta. Ndërkohë, Inspektorati është bllokuar plotësisht. Punonjësit nuk kanë marrë paga prej më shumë se katër muajsh. Institucioni është paralizuar, dhe kjo është pasqyra më e qartë e qasjes së kësaj qeverie ndaj gjuhës shqipe dhe themeleve të Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Ademi.