
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për koalicion LVV-LDK.
Abdixhiku ka propozuar që të krijohet një qeveri e tranzicionit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Pas refuzimit nga LDK, ka reaguar zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Ai e ka quajtur jokushtetues propozimin e LDK-së.
“Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka pohuar ai, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka propozuar qeveri të tranzicionit.
Ky propozim vjen pas ftesës së Albin Kurtit, për koalicionin LVV-LDK.
“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet qe janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale… E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por sot vendi është në krize te thellë institucionale, pikërisht për shkak të partisë së parë. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale te tranzicionit”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ndryshe, dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi ende nuk po arrin të konstituohet, kjo pasi partia fituese e zgjedhjeve LVV, nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryeparlamentares së propozuar Albulena Haxhiu./Telegrafi/