
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova nuk mund të përballojë zgjedhje të reja në këtë situatë ekonomike dhe politike, shkruan Insajderi.
Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe ka shprehur gatishmëri për dialog me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për ngërçin politik.
“Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje. Gjendja ekonomike nuk ka qenë kurrë më e rëndë. Qytetarët kanë votuar dhe përgjegjësia jonë është që të ulemi dhe të bashkëbisedojmë, edhe me ata që nuk pajtohemi,” u shpreh Limaj para gazetarëve, duke shtuar se institucionet duhet të formohen urgjentisht.
Ai tha se Nisma nuk ka marrë ftesë për bisedime nga askush deri tani, por është e gatshme të veprojë sipas fuqisë që ka dhe të jetë pjesë e një zgjidhjeje.
“Nuk kemi pasur ftesë nga askush. Nisma do të veprojë sipas fuqisë që ka, por duhet të jemi të përgjegjshëm. Kjo është një sprovë deri në limit dhe taktikave që po përdoren duhet t’u vijë fundi,” shtoi ai.
Limaj po ashtu tha se situata nuk mund të zhbllokohet vetëm me votat e Nismës: “Kosova ka nevojë për një shumicë parlamentare.”
Deklaratat e tij vijnë në ditën kur po mbahet seanca e 13-të për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, ndërsa Albulena Haxhiu ka dështuar 11 herë radhazi në këtë përpjekje.