
Në vitin shkollor 2021/2022 në vend kishte 973 shkolla dhe 187.555 nxënës dhe këto shifra pesë vite më vonë janë 943 shkolla dhe 182.124 nxënës. Këto janë shkolla rajonale në zonat rurale ku numri i nxënësve është gjithsesi shumë i vogël dhe fëmijët mësojnë në klasa të kombinuara
Arsimi në Maqedoninë e Veriut për një periudhë pesëvjeçare ka “humbur” 5431 nxënës dhe në të njëjtën periudhë janë mbyllur rreth 30 shkolla. Trendi i rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve në shkollat fillore është evident, sipas shifrave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESSH), por shteti aktualisht nuk ka një strategji për zgjidhjen e këtij problemi të kahershëm. Në vitin shkollor 2021/2022 në vend kishte 973 shkolla dhe 187.555 nxënës dhe këto shifra pesë vite më vonë janë 943 shkolla dhe 182.124 nxënës. Këto janë shkolla rajonale në zonat rurale ku numri i nxënësve është gjithsesi shumë i vogël dhe fëmijët mësojnë në klasa të kombinuara.
Për arsyet e këtij trendi negativ, ish-drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Donço Gerasimovski, i cili në mënyrë të pavarur dhe rregullisht i monitoron trendet lidhur me natalitetin dhe arsimin në vend, tha se arsyeja e parë për këtë rënie është rënia e natalitetit.
“Së pari, arsyeja për këtë është rënia e natalitetit. Kanë lindur pak fëmijë. Në 7 nga 8 qarqe të vendit kemi rritje natyrore negative. Në më shumë se 60 për qind të komunave ka ulje të natalitetit dhe kjo ndikon fuqishëm në numrin e nxënësve, veçanërisht të atyre që regjistrohen në klasën e parë. Nga viti 2019 kemi rritje natyrore negative, që do të thotë se popullsia natyrshëm po zvogëlohet”, thotë Gerasimovski, i cili shton se edhe vendet e zhvilluara kanë problem me natalitetin, por dallimi është drastik te ne sepse jemi një vend i vogël me popullsi të vogël.
Një faktor tjetër i rëndësishëm për zvogëlimin e numrit të nxënësve të shkollave fillore është emigrimi i popullatës së re. “Kryesisht popullsia e re po emigron nga vendi. Numri i fëmijëve të lindur të gjallë jashtë vendit po rritet. Çdo vit mesatarisht 1000 fëmijë lindin jashtë vendit. Janë 10 komuna në Maqedoni ku ka më shumë fëmijë të lindur të gjallë jashtë vendit sesa në Maqedoni, siç janë Pllasnica, Mavrovë-Rostushe dhe Novo Sello”, u shpreh Gerasimovski./koha.mk/



