Ushqim për 20 familje nevojtare ka siguruar një bamirëse e cila dëshiron të mbetet anonime. Me punë të përkohshme në Zvicër, ajo për një periudhë të shkurtër kohore ndihmon për të tretën herë nevojtarët në vendindje. Aksioni i ishte besuar bashkësisë lokale të fshatit Çajlë, prej ku 20 pakot me gjësende ushqimore dhe higjienike do t’u shpërndahen familjeve të dedikuara. Sinan Elezi, kryetar i B.L Çajlë bëri të ditur se çdo pako kap vlerën e 50 eurove apo në total 1000 euro.
“Dua të falenderojë bamirësit, në veçanti mërgimtarët që në këtë kohë krize nuk i harrojnë familjet nevojtare. Ky aksion i sotëm financohet nga një mërgimtare e cila është bijë nga fshati Çajlë ndërsa e martuar në fshatin Zdunjë. Vërtetë është krizë e madhe dhe çdo ndihmë është e mirëseardhur”, deklaron Sinan Elezi, kryetar i B.L të fshatit Çajlë.
Elezi ka falenderuar mërgimtarët që gjithmonë tregojnë solidaritet dhe u ka uruar pushime të mira në vendlindje.
“Uroj që gjatë kësaj periudhe mërgimtarët tanë numri i të cilëve është i madh, të kalojnë pushime të mira në vendlindje, të shoqërohemi me ata e t’i respektojmë ashtu siç duhet”, deklaron më tej Sinan Elezi, kryetar i B.L të fshatit Çajlë.
Pakot ushqimore, siç thekson Elezi, do të shpërndahen në fshatin Çajlë, Forinë, Çegran dhe në disa fshatra tjera në territorin e Gostivarit.