
Juventusi po negocion me PSZH-në për të mbajtur Kolo Muani, ndërkohë që flirton në merkato edhe me Osimhen, David dhe Gyokeres. Gjithçka për të vendosur për sulmuesin kryesor, pasi duket se Dushan Vlahoviç ka ndërmend të largohet.
Sulmuesi serb ka ende edhe një vit nga kontrata e tij, ndaj aktualisht po bllokon merkaton e bardhezinjve. Sipas “Tuttosport”, nuk mungojnë ofertat, madje edhe ato të pasura nga Arabia e Turqia, ku e kërkon Hoze Murinjo.
Por Vlahoviç synon të luajë në kampionatet elitare, madje dëshiron të qëndrojë në Itali, duke i “shkelur syrin” rivalëve të Milan, që gjithashtu po kërkojnë një sulmues. Për më tepër që aty është trajner Maks Allegri, që ia njeh mirë cilësitë. Për momentin, nuk ka mbërritur asnjë ofertë nga Premier Liga. Ndaj, sulmuesi serb është i intriguar nga ideja e veshjes së fanellës së kuqezinjve, për projektin teknik dhe mundësinë e ribashkimit me Allegri, me të cilin shënoi më shumë se 40 gola në dy vjet e gjysmë.
Me “djajtë”, Vlahoviç do të qëndronte në një nivel të lartë pavarësisht se nuk do të luajë në Europë dhe do të kthehej në punë me një trajner që e njeh shumë mirë, por ka shumë pengesa në rrugën për në Milano dhe kryesore është paga e lojtarit (12 milionë euro).
Për sa i përket çmimit të kartonit të lojtarit, Milan dhe Juventus mund të arrijnë një marrëveshje fare lehtë sepse bardhezinjtë kërkojnë rreth 25 milionë euro. Vlahovic-Milan mund të bëhet, por vetëm në kushtet e duhura.



