LajmeMaqedoni

RMV, reklamat zgjedhore për kryetarë komunash më të shtrenjta se ato për deputetë

Shteti u ka paguar pesë milionë e 140 mijë euro mediave për publikimin e reklamave partiake për zgjedhjet lokale të vitit 2021, tregojnë dokumentet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që janë marrë nëpërmjet kërkesave për qasje të lirë në informacione publike. Në të njëjtën kohë, transmetuesit kanë arkëtuar 4,2 milionë euro nga këto para, ndërsa 900 mijë euro të mbetura janë ndarë mes portaleve të internetit dhe medieve të shtypura, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Kjo do të thotë se zgjedhjet e vitit të kaluar për kryetarë të komunave dhe anëtarë të këshillave komunale ishin dy milionë euro më të shtrenjta se zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur bëhet fjalë për shpenzimin e parave publike për reklamimin mediatik të pjesëmarrësve. Atëherë mediat, me porosi të palëve, morën nga shteti rreth tre milionë euro.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve nga buxheti i shtetit u fut me ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vitin 2018. Varësisht të rezultateve të zgjedhjeve të mëparshme, çdo parti apo koalicion pjesëmarrës në zgjedhje ka të drejtën e përdorimit të një shume të caktuar. Më pas ata porosisin reklama në media, të cilat faturat ia dërgojnë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa ky komision i paguan faturat nga buxheti. Ka kufij të sipërm se sa mund të shpenzojë një parti në një media (për shembull, maksimumi në një portal është 15 mijë euro).

Duke qenë se përllogaritjet bëhen sipas rezultateve në të kaluarën, ka dallime të mëdha në shumat në dispozicion të pjesëmarrësve në zgjedhje. Kështu, tri nga partitë apo koalicionet kanë bërë porosi që kapin miliona për reklama – VMRO-DPMNE dhe LSDM secila nga rreth 1,4 milion euro dhe BDI nga 1,1 milion euro. Jo shumë pas tyre ishte edhe koalicioni (i cili atëherë ekzistonte ende) mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, për reklamimin e të cilit shteti ka paguar mbi 900 mijë euro. Për dallim prej tyre, pjesëmarrësit më të vegjël, si Levica, Besa, koalicioni LDP-DOM dhe PDSH nuk kanë shpenzuar as nga 100 mijë euro.

Gjysma e portaleve me vetëm një reklamues

Shumat e shpenzuara zbulojnë gjithashtu strategjitë e partive për prezantim të paguar mediatik. Prej shumave shihet se LSDM dhe koalicioni LDP-DOM më së shumti janë mbështetur në televizione, gjegjësisht mbi 90 për qind të parave i kanë shpërndarë te radiodifuzerët, kurse as 10 për qind për portalet dhe gazetat në internet. Për dallim prej tyre BDI, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët ka ndarë secila më shumë se 20 për qind të kulaçit të tyre reklamues për reklamat onlajn, kurse Levica dhe Besa secila me rreth 15 për qind.

Të dhënat e SEC tregojnë gjithashtu se sa para ka paguar secila palë për çdo internet-portal individual. Nga gjithsej 176 portale të regjistruara para zgjedhjeve, partitë kanë reklamuar në 111. Disa kanë marrë mijëra euro, të tjera disa qindra.

Polarizimi mediatik, si dhe lidhjet mes partive politike dhe mediave të caktuara, veçanërisht në sferën online, vërehen qartë në shpërndarjen e parave për reklamim. Kështu, në gjithsej 57 portale, ose pak më shumë se gjysma, është reklamuar vetëm nga një parti. Në reklamat e njëanshme kryeson VMRO-DPMNE, reklamat e së cilës kanë qenë të vetme në 23 portale, ndërsa LSDM ka qenë reklamues i vetëm në 13.

Merr paratë dhe mbylle

Lidhjet parti-portale nuk përfundojnë vetëm me mbështetjen e redaksive me politikë editoriale të favorshme për partinë, por shkojnë edhe më thellë, në mbështetje të anëtarëve dhe aktivistëve partiakë, e disa prej tyre pas përfundimit të zgjedhjeve e kanë ndërprerë informimin onlajn.

I tillë është shembulli me portalin Albanews24 (albanews24.com), i cili ende mbulohet me reklama për Bilall Kasamin nga Besa për kryetar të Komunës së Tetovës dhe lajmi i fundit që ka publikuar është nga 30 tetori 2021, një ditë para raundit të dytë vendimtar, në të cilën Kasami shkarkoi Teuta Arifin nga pushteti në qytet. Portali që ka marrë 11 mijë e 800 euro nga Besa, është i regjistruar nga kompania Albanews24 në pronësi të Albi Qamilit. Kështu quhet kryetari i forumit rinor Besa. Përveç faktit që portali nuk është i përditësuar, edhe kompania Albanews24 është mbyllur.

Portali Signal (signal.mk), i cili ka funksionuar nga viti 2019, ka publikuar lajme deri 2-3 muaj pas zgjedhjeve dhe më pas është pezulluar. Ai ka marrë 4.200 euro nga VMRO-DPMNE, si partia e vetme që ka reklamuar atje. Është e regjistruar nga kompania VD Media, në pronësi të Jovan Neçovskit, i cili në YouTube prezantohet si anëtar i grupit të të rinjve të VMRO-DPMNE-së.

Dihet edhe lidhja e BDI-së me kompaninë Tetova Sot, për të cilën tashmë BIRN ka botuar informacione se integruesit nuk ishin vetëm reklamues në katër portalet e saj (tetovasot.com, bild.mk, indeks.mk dhe ts.mk), por edhe në secilin prej tyre e kanë investuar shumën maksimale të lejuar prej 17.700 euro (15.000 plus TVSH). .

Janë rastet e vetme të këtij lloji dhe asnjë portal tjetër nuk e ka marrë shumën më të lartë ligjore për reklamimin e një partie të vetme. Për fushatën e VMRO-DPMNE-së, për shembull, më së shumti para kanë marrë portalet Republika (14 mijë euro) dhe Plusinfo (11.800 euro), ndërsa LSDM-ja ka publikuar më së shumti reklama në I-portal, në vlerë prej 6.000 euro.

Nga ana tjetër, karakteristik është rasti i portalit In 7 (in7.tv), i cili, sipas të dhënave të KSHZ-së, ka publikuar reklama për koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, në vlerë prej 39,430 euro, shumë mbi kufirin ligjor. BIRN edhe për këtë portal, në pronësi të firmës Bulevard të Albrim Hoxhës nga Struga, ka shkruar se është pjesë e një grupi me lidhje politike. Hoxha në vitin 2013 ishte zëdhënës i PDSH-së në Strugë dhe punonjës në komunë, derisa kryetar i komunës ishte Zijadin Sela, asokohe anëtar i PDSH-së, sot kryetar i Aleancës. Në një bisedë me BIRN, ai më pas tha se në këtë rast nuk është shkelur asnjë ligj, por për arsye administrative, paratë e destinuara për disa portale të menaxhuara nga persona të ndryshëm dhe me politika të ndryshme editoriale janë paguar përmes së njëjtës kompani.

Pavarësisht dyshimeve për keqpërdorim të parave që ndahen nga shteti në mënyrë që partitë dhe kandidatët e tyre për poste publike të paraqiten më mirë para qytetarëve dhe t’u mundësohet një zgjedhje më e informuar ditën e votimit, deri më tani asnjë institucion nuk e ka hetuar reklamimin parazgjedhor me para të popullit.

Show More

Related Articles

Back to top button