LajmeSport

Inter drejt lamtumirës me Calhanoglu, braziliani i Atalantës objektiv kryesor për mesfushën

Largimi i Hakan Calhanoglu nga Interi duket tashmë i pashmangshëm. Galatasaray pritet të bëjë ofertën zyrtare për mesfushorin turk dhe drejtuesit zikaltër synojnë të përfitojnë jo më pak se 35-40 milionë euro nga kjo shitje. Edhe pse lojtari nuk ka kërkuar publikisht largimin, sinjalet kanë qenë të qarta që në fillim dhe klubi po përgatitet për jetën pa të.

Zëvendësuesi i dëshiruar i Calhanoglu është Ederson i Atalantës. Braziliani pëlqehet nga të gjithë në ambientin zikaltër, nga drejtuesit te trajneri. Por për të nisur bisedimet me klubin bergamask, kërkohet një shumë minimale prej 45-50 milionë eurosh. Shifra është e rëndësishme, por jo e paarritshme, sidomos nëse Interi arrin të gjenerojë të ardhura nga lojtarë si Bisseck, Sebastiano Esposito apo edhe Davide Frattesi, për të cilin së fundmi është interesuar Atletico Madrid.

Nëse transferimi i Ederson dështon, emra alternativë janë sonduar: Rovella nuk bind plotësisht, ndërsa më shumë interes ka për Angelo Stiller të Stuttgart-it, tashmë pjesë e kombëtares gjermane.

Ndërkohë, situata e merkatos te Interi mbetet e lëvizshme edhe në prapavijë. Denzel Dumfries ka një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh të vlefshme deri në mes të korrikut, një shumë që mund të tërheqë shumë klube evropiane. Interi nuk ka marrë sinjale konkrete për një largim të tij, por gjithçka është e hapur.

Për mbrojtjen, Interi ka vënë në shënjestër talentin e Parmës, Giovanni Leoni. Pas interesimit të shprehur publikisht nga Marotta, Parma ka vendosur një çmim të lartë: 40 milionë euro. Interi ka vënë në dispozicion një buxhet prej 30 milionë eurosh dhe pritet të nisin bisedimet. Në listë është edhe Koni De Winter i Genoas, ndërkohë që klubi gjenovez është interesuar për huazimin e Valentin Carbon-it, një mundësi për të hapur negociatat.

Pas afrimeve të Sucic, Luis Henrique, Bonny dhe rikthimit të Pio Espositos, Interi duhet të shesë për të blerë. Nga kjo pikë e tutje, çdo hyrje në skuadër do të jetë e lidhur me një dalje. Dhe për çdo telefonatë që vjen, një tjetër do të bëhet. /SYRI.net/

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk