
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës kanë në dispozicion edhe 24 ditë për ta konstituar Parlamentin. Kjo pasi më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli aktgjykimin e saj, ku theksohet se deputetët janë të obliguar që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin.
Megjithatë, as ky aktgjykim nuk ka arritur ta zhbllokojë situatën politike. Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, vazhdon të këmbëngulë që Albulena Haxhiu të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit dhe insiston që votimi të zhvillohet në mënyrë të fshehtë.
Nga ana tjetër, partitë tjera e deridjeshme opozitare PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtojnë fuqishëm që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, duke e konsideruar këtë si shkelje të Kushtetutës.
Pas shpalljes së aktgjykimit nga Kushtetuesja, kryeministri në detyrë ftoi në një takim të përbashkët liderët e subjekteve politike, por as ky takim nuk solli ndonjë rezultat konkret.
Si rrjedhojë, më 1 korrik dështoi për herë të katërt tentativa për konstituimin e Kuvendit.
Çfarë do të ndodhë nëse kalon afati 30 ditësh dhe nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës?
Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve Kushtetuese ka thënë se subjektet politike janë të obliguara ta zbatojnë vendimin e shpallur nga ky institucion.
Për Telegrafin, Baraliu tha se nëse kalon afati dhe nuk konstituohet Kuvendi, atëherë te gjithë deputetët bëhen shkelës të Kushtetutës.
“Gjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative për t’u zbatuar nga çdo subjekt fizik dhe juridik në Kosovë. Në këtë rast, edhe institucioni më i lartë i shtetit, Kuvendi, dhe po ashtu subjektet politike do të duhej të mendojnë mirë se të gjithë liderët dhe deputetët e Kuvendit e shkelin Kushtetutën dhe bëhen bashkë shkelës të Kushtetutës së Kosovës. Ky vendim është pjesë përbërëse e pashkëputur e tekstit te Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Baraliu.



