Bullgarët do të votojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare për të katërtën herë në dy vite. Sot ka dështuar edhe përpjekja e tretë, e fundit për formimin e qeverisë së re në kuadër të përbërjes aktuale parlamentare, pas së cilës socialistët bullgarë ia rikthyen mandatin presidentit të shtetit, Rumen Radev. Ai, nga ana tjetër, ka shfrytëzuar rastin për ta kritikuar punën e kryeministrit, Kirill Petkov.
“Kaosin në energji, koalicioni qeverisës ia la qeverisë teknike. Kriza energjetike, e cila mund të çojë në kolaps të ekonomisë dhe sistemit social, është trashëgimia më e vështirë e kësaj qeverie”, deklaroi Rumen Radev, president i Bullgarisë.
“Presidenti që nga dita e parë nuk pushoi së kritikuari këtë Qeveri, pavarësisht se krijoi partinë kryesore në qeveri – “Vazhdojmë me ndryshimet”. Besojmë se ai është pjesë e grupit që rrëzoi qeverinë aktuale”, tha Kornelia Ninova, kryetare e BSP-së.
Kryeministri Petkov, nga ana tjetër, vlerësoi se për periudhën e shkurtër sa ishte në krye të Qeverisë, ka arritur të arrijë rezultate shumë të mira.
“Kolegë, ndoshta kjo është seanca jonë e fundit e Qeverisë dhe prandaj do të kemi pika të rëndësishme në rend dite për t’i zgjidhur së bashku. Dua t’ju falënderoj për gjithë punën që kemi bërë në këto muaj, të cilët nuk ishin të lehtë, por kemi edhe rezultate shumë të mira për t’u mburrur”, tha Kiril Petkov, Kryeministër i Bullgarisë.
Presidenti Radev në ditët në vijim do ta përcaktojë datën për zgjedhjet e reja, ndërsa deri atëherë shteti do të udhëhiqet nga Qeveria teknike, të cilën do ta emërojë vetë. Deri te zgjedhjet e reja erdhi pasi partia e Slavi Trifonov “Ka popull të tillë” u tërhoq nga koalicioni qeverisës, për shkak të mosmarrëveshjeve, siç thanë ata, rreth vendimit për të dhënë dritën jeshile për integrimin evropian të Maqedonisë dhe rishikimin e buxhetit pas çka Petkov e humbi shumicën në Kuvend./Alsat.mk/