LajmeMaqedoni

Toshkovski: Zjarret janë pjesë e një skenari të caktuar që synohet të realizohet në Maqedoni

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski zbuloi se një pjesë e zjarreve që prej ditësh janë aktive në mbarë vendin janë të qëllimshme. Sipas tij, një pjesë e vatrave të zjarrit janë pasojë e erërave të forta dhe kushteve të rënda atmosferike, megjithatë, për disa prej tyre thotë se ka dyshime të bazuara se janë shkaktuar me qëllim.

“Sapo të neutralizohet dhe lokalizohet zjarri i dytë, menjëherë fillon një zjarr i tretë. Të gjitha këto janë të lidhura me infrastrukturë kyçe të shtetit dhe nga profesionistët brenda MPB-së ekzistojnë dyshime të forta – jam i informuar se dyshojnë – se bëhet fjalë për një skenar të caktuar që synohet të realizohet në Maqedoni”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Në përballjen me zjarret, prej dje është aktivizuar edhe mekanizmi evropian i ndihmës, i cili do të ndihmojë në shuarjen e tyre.

“Është aktivizuar mekanizmi për ndihmë evropiane në përballje me zjarret dhe të gjitha kapacitetet e shtetit janë vënë në funksion maksimal. Mund të theksoj se nga ana e Greqisë janë vënë në dispozicion të shtetit dy avionë “kanader”, të cilët do të përdoren për shuarjen e zjarreve, si dhe dy ekipe këmbësorie që janë vënë në dispozicion përmes mekanizmit të BE-së”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Toshkovski megjithatë theksoi se pjesa më e madhe e zjarreve janë vënë nën kontroll, duke theksuar se pjesëtarët e njësive zjarrfikëse, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Armatës dhe Qendrës për Menaxhim me Kriza janë vazhdimisht në terren.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk