
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut në agjendën e Bashkimit Evropian, në kuadër të presidencës daneze me Këshillin e Europës.
“Diskutova në lidhje me prioritetet daneze gjatë presidencës gjashtëmujore dhe ajo që bie në sy është se, ndryshe nga presidenca paraprake e Polonisë, e cila kishte theksuar qartë zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, këtë herë nuk shihet një fokus i tillë i drejtpërdrejtë për vendin tonë,” theksoi Snopçe, përcjell PressOnline.al
Sipas tij, kjo mungesë vëmendjeje nga Danimarka është sinjal alarmi për institucionet vendore. Ai nënvizoi se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç realizimit të reformave dhe ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë parashikuar qartë edhe në prioritetet e presidencës daneze.
Në këtë kontekst, Snopçe përkujtoi edhe porosinë eksplicite të kryetarit të Këshillit të BE-së, Antonio Koshta, drejtuar kryeministrit të Maqedonisë, ku theksohet qartë se “marrëveshje tjetër nuk ka – zbatoni atë për të cilën jemi marrë vesh”.
Deputeti kujtoi edhe dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, dhe largimin e partisë së tij nga qeveria, si pasojë e pakënaqësive me rrjedhën dhe dinamikën e reformave në shtet.
Në vijim të deklaratës, Snopçe shprehu shqetësim për ndikimet e huaja, sidomos nga Rusia dhe Kina, të cilat, sipas tij, po e devijojnë strategjikisht Maqedoninë e Veriut.
“Fatkeqësisht, rikthimi aktiv i projektit të ‘botës serbe’ është pjesë e kësaj prirjeje. Kjo agjendë, përmes lidhjeve politike, kulturore dhe religjioze, po tenton të forcojë ndikimin e saj në të gjithë rajonin, përfshirë edhe vendin tonë. Kjo është një strategji shumë e rrezikshme për të ardhmen,” u shpreh deputeti, përcjell PressOnline.al
Ai theksoi se këto nuk janë teori konspirative apo spekulime, por të dhëna të dokumentuara në raportet zyrtare të Bashkimit Evropian, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe organizatave ndërkombëtare që ndjekin zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.



