
Çellsi dhe Lejpcig janë në bisedime për të finalizuar një shkëmbim të bujshëm lojtarësh. Bëhet fjalë për Çavi Simons (luan me Lajpcigun) dhe Karnej Çukvuemeka (luan me Çellsi).
Klubi anglez është në bisedime për të sjellë Simons në Londër, ndërsa klubi gjerman ka syrin te mesfushori i “blues”. Talenti holandez i Lajpcig e mirëpret një transferim te kampionët e saposhpallur të botës.
Është e qartë se Çellsi duhet të zëvendësojnë disa sulmues të tepërt si Zhoao Feliks, Nkunku dhe Sterling, që do të largohen. Ndaj Çavi Simons konsiderohet si zgjedhja e duhur për sulmin, lojtar që mund të luajë edhe në krahë.
Në kahun tjetër, 21-vjeçari Karnej Çukvuemeka, luajti gjysmën e dytë të sezonit të kaluar i huazuar te Borusia Dortmund, duke realizuar edhe një gol në Bundesliga. Ndaj, një lojtar që e njeh mirë kampionatin gjerman. Natyrisht që Çellsi do të paguajë edhe një shumë parash për të barazuar vlerën e dy futbollistëve, çka nuk do të ishte një problem për londinezët. Palët synojnë ta mbyllin marrëveshjen brenda korrikut.



