
Raporti i SHBA-së për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut për vitin 2024 ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe dinjitetin e individëve. Pavarësisht ndalimeve ligjore, raporti thotë se pati raste të besueshme të keqtrajtimit dhe përdorimit të forcës së tepruar nga policia ndaj të paraburgosurve. Në komunitetin rom, por edhe mes shqiptarëve thuhet se ka pasur martesa të hershme dhe të detyruara. Refugjatët dhe migrantët, veçanërisht gratë dhe fëmijët, ishin të ekspozuar ndaj trafikimit dhe kthimeve të detyruara pa procedura ligjore. Pavarësisht përmirësimeve ligjore për refugjatët kosovarë, proceset e azilit mbetën të dobëta, me mungesë përkthimi dhe vonesa në dokumentacion, transmeton Portalb.mk.
Raporti nënvizon se kushtetuta dhe ligjet e ndalojnë torturën dhe trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese. Megjithatë, pati raportime të besueshme për përdorim force të tepruar nga policia dhe rojet e burgjeve ndaj të paraburgosurve. Disa raste u hetuan nga autoritetet, përfshirë edhe njësitë e specializuara të Prokurorisë. Megjithëse pati ndjekje penale, problemet me trajtim të papërshtatshëm vazhduan të raportoheshin, edhe pse pandëshkueshmëria nuk u konsiderua shqetësim i madh.
“Kushtetuta dhe ligji i ndalonin praktika të tilla, por kishte raportime të besueshme se zyrtarët qeveritarë ndonjëherë i përdornin ato. Kushtetuta ndalon çdo formë torture, trajtimi ose ndëshkimi çnjerëzor ose poshtërues. Ligji kriminalizonte torturën dhe format e tjera të trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor ose poshtërues të kryera nga agjentët qeveritarë ose përfaqësuesit e tyre. Dënimi i përcaktuar varionte nga tre deri në tetë vjet burg. Për rastet e rënduara, ligji përcaktonte një dënim minimal prej katër vjetësh burg. Ligji gjithashtu kriminalizonte akte më pak të rënda, të tilla si përfshirja në frikësim, keqtrajtim ose sjellje poshtëruese të kryera nga agjentët qeveritarë.



