Marrëdhëniet e mira dypalëshe, të cilat po forcohen edhe më shumë nga viti në vit, përmes dialogut politik intensiv dhe miqësor të konfirmuar nga takimet e rregullta dhe të shpeshta si dhe vizitat e nivelit të lartë, u konfirmuan në takimin e sotëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.
Në takim u theksua se ndihma dhe mbështetja nga Serbia gjatë krizës së Covid-it ishte e një rëndësie të veçantë, kur ky vend ndihmoi në përballimin e pandemisë me vaksina dhe ndihma të tjera mjekësore.
Në takimin me kryeministrin e Serbisë, Kovaçevski falënderoi për heqjen e ndalesës për eksportin e drithërave dhe vajit për gatim, me çka tregoi mirëkuptim dhe solidaritet si pjesë e përkushtimit të tij për bashkëpunim në rajon.
“Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Kovaçevski dhe Brnabiq, theksuan komunikimin dhe partneritetin në nivelin më të lartë në kuadër të Iniciativës për Ballkanin e Hapur si një shtysë shtesë për bashkëpunimin rajonal, fqinjësinë e mirë dhe zbatimin e vlerave evropiane në rajonin tonë”, thuhet në deklaratë.
Në takim u përmend dhe gatishmërinë e të dyja palëve për organizimin e seancës së tretë të përbashkët të të dy qeverive si një shtysë pozitive për zhvillimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit, veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik.
Gjatë takimit u vlerësuan dhe investimet infrastrukturore si Korridoret 10 dhe 8, si veçanërisht të rëndësishme për lidhjen e rajonit.
Lidhur me integrimin evropian të rajonit, Kovaçevski dhe Brnabiq thanë se tani është koha e duhur që Maqedonia e Veriut dhe Serbia të fillojnë negociatat me BE-në dhe se ky hap do të jetë një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin në aspektin e tij gjeostrategjik për nga rëndësia dhe stabiliteti.