
Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se “rritet ndikimi serb në Qeverinë e RMV-së. Në një kumtesë për media nga BDI thonë se “rasti i fundit me aktorin serbo-rus Miloš Biković është tregues domethënës i kësaj prirjeje të rrezikshme”.
“Kryeministri Mickoski e priti publikisht Bikovićin duke e prezantuar si “bir të Berovës” dhe duke e lavdëruar për iniciativën për investim në një kompleks turistik. Por nuk mund të injorohet fakti që Biković është një figurë e lidhur ngushtë me Beogradin dhe Moskën, i cili: – Vetë ka deklaruar se Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë se kishte marrë pjesë në marrjen e aeroportit të Slatinës në Prishtinë, një episod i njohur si demonstrim i forcës ruse në Ballkan pas bombardimeve të NATO-s, dhe që e lidhi me filmin e tij propagandistik “Balkan Border”; – Në vitin 2023 është nderuar nga vetë Putin me shtetësinë ruse, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të soft power-it rus përmes artit, filmit dhe mediave”.
“Këto fakte tregojnë qartë se nën qeverinë aktuale, RMV po shfaq hapje gjithnjë e më të madhe ndaj ndikimeve të huaja që rrezikojnë kursin euroatlantik të vendit. Investime të tilla, të paraqitura si projekte ekonomike e kulturore, në thelb përbëjnë kanale për legjitimimin e narrativave serbo-ruse në vend dhe normalizimin e tyre si pjesë e identitetit tonë kombëtar”, thonë nga BDI.
Ata gjithashtu thonë se “përpjekjet për penetrim kulturor e politik nga Beogradi e Moska nuk janë të fshehura, por po legjitimohen nga qeveria dhe se këto zhvillime rrezikojnë unitetin e shoqërisë, marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”.



