
Numri i viktimave në luftën Izrael-Hamas ka kaluar mbi 66,000 palestinezë, njofton Ministria e Shëndetësisë në Gaza, në prag të takimit mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu me presidentin amerikan Donald Trump. Netanjahu ka qenë nën presion të madh ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës. Aleatët kryesorë perëndimorë i janë bashkuar një liste gjithnjë në rritje të vendeve që kanë njohur shtetin palestinez, pavarësisht kundërshtimeve të Izraelit. Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e sanksioneve, ndërsa po rriten gjithashtu përpjekjet për bojkot kulturor e sportiv ndaj Izraelit. Pasi dhjetëra delegatë dolën nga salla, Netanjahu u tha të premten liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se kombi i tij “duhet ta përfundojë punën” kundër Hamasit në Gaza, teksa ushtria e tij vazhdonte ofensivën në qytetin e Gazës. Trump deri më tani ka qëndruar në krah të Izraelit. Por, kohët e fundit presidenti amerikan ka treguar shenja padurimi, veçanërisht pas bombardimit të Katarit nga Izraeli këtë muaj. Në takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë, pritet që Trump të ndajë një propozim të ri për t’i dhënë fund luftës. /Alsat.mk



