
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut po bëjnë përpjekje të konsiderueshme, por vendi ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria ka demonstruar rritje të përpjekjeve të përgjithshme krahasuar me periudhën paraprake të raportimit, prandaj Maqedonia e Veriut mbetet në Nivelin 2, thuhet në Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për tregtimin me qenie njerëzore në botë për vitin 2025, raporton Meta.
“Qeveria ka rritur përpjekjet e saj të përgjithshme për mbrojtje, përfshirë këtu edhe identifikimin e më shumë viktimave, zhvillimin e procedurave të reja standarde operative për ekipet mobile dhe rritjen e burimeve për një strehimore të drejtuar nga OJQ-të për viktimat e trafikimit. Janë ndarë mjete për fondin për kompensim për viktimat, është formuar komision për gjykimin e rasteve dhe është krijuar një grup i përbërë nga persona që i kanë mbijetuar trafikimit për dhënien e rekomandimeve për përpjekjet kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, thuhet në raport.
Në të thuhet edhe se janë dënuar më pak trafikantë, ndërsa Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin nuk ka pasur burime të mjaftueshme për t’i zgjidhur të gjitha rastet.
Në raport thuhet se Qeveria nuk ka ndarë mjete për ekipet mobile që i identifikojnë shumicën e viktimave të mundshme çdo vit dhe se nuk është ofruar ndihmë e specializuar për viktimat meshkuj, si dhe nuk ka pasur shërbime afatgjata për mbështetje për të gjitha viktimat.
Në pjesën e rekomandimeve thuhet se është e nevojshme të ndahen fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e viktimave dhe për mbështetjen e shërbimeve të specializuara për viktimat e rritura meshkuj dhe se duhet t’u mundësohen burime të mjaftueshme policisë dhe prokurorëve për ta hetuar në mënyrë proaktive trafikimin dhe për t’i ndjekur penalisht rastet në kohë.
Përveç kësaj në të rekomandohet rritja e përpjekjeve për identifikimin në mënyrë proaktive viktimat e trafikimit, duke përfshirë këtu punonjësit e seksit komercial, migrantët, refugjatët dhe popullatat e tjera në rrezik.
Ndryshe, trafikimi i fëmijëve, shfrytëzimit seksual, trafikimi i fëmijëve me qëllim shfrytëzimi për punë, martesat e detyruara, eksploatimi i punëtorëve dhe lypja janë në rritje në Maqedoninë e Veriut, tregon Studimi i mbështetur nga veprimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Në studim thuhet se numri më i madh i viktimave të zbuluara në 5 vitet e fundit janë fëmijët viktima të martesave të detyruara.
Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Trafikimin e Njerëzve 2024, tregoi se trafikantët e seksit rekrutojnë viktima të huaja zakonisht nga Evropa Lindore dhe Ballkani, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Moldavinë, Rumaninë, Rusinë, Serbinë dhe Ukrainën. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe viktimat e huaja që kalojnë tranzit nga Maqedonia e Veriut shfrytëzohen për trafikim seksual dhe punë të detyruar në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë në Evropën Jugore, Qendrore dhe Perëndimore. Trafikantët, të cilët shpesh janë të afërm ose miq të ngushtë, shfrytëzojnë fëmijët romë nëpërmjet lypjes së detyruar dhe trafikimit seksual brenda martesave të detyruara.



