GostivarLajme

Pas dështimit të censusit në Vrapçisht, përplasje virtuale mes Seferit dhe Shabanit

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Mehmet Seferi, përmes një shkrimi në Facebook u ka bërë thirrje punonjësve komunalë që, siç ai shkruna, të mos frikësohen nga presionet apo shantazhet politike. Ai thekson se “askush nuk do të preket në vendin e punës” dhe se administrata komunale do të jetë “e mbrojtur dhe e respektuar nga udhëheqja e re komunale”.

“E di që shumë prej jush ndoshta ndiheni të pasigurt për të ardhmen tuaj. Por dua t’ju siguroj sot, publikisht dhe pa asnjë rezervë: askush nuk do të ndëshkohet për bindjet apo për vendin ku ka qenë deri dje. Ne nuk po vijmë për të përçarë, por për të bashkuar. Nuk po vijmë për të frikësuar, por për të ndërtuar një frymë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi,” – shkruan Seferi.

Ai shton se koha e frikës dhe kërcënimeve ka marrë fund, duke nënvizuar se ekipi i tij “nuk do të bëjë gjueti shtrigash” dhe se në komunë “duhen njerëz të aftë, jo militantë partiakë”. Reagimi i kryetarit aktual dhe kandidatit të AKI-së, Isen Shabani, ka qenë i menjëhershëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi Seferin si “humbësin më të madh në historinë e komunës”, duke theksuar se ai “nuk ka legjitimitet për të bërë thirrje apo për të dhënë këshilla”.

“Ky mohues është duke refuzuar përballjen me realitetin, edhe kur ai është i shkruar qartë në çdo fletëvotim. Megjithatë, ai ende ëndërron ‘të vijë në krye të komunës’ – pa mbështetjen e popullit, pa votën e qytetarëve. Ka vetëm një gjë të vërtetë: ti kurrë nuk do të jesh në krye të komunës sonë,” – ka shkruar Shabani.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 tetor, në Komunën e Vrapçishtit votuan vetëm 24% e qytetarëve me të drejtë vote, duke mos u arritur censusi prej 33.33%. Shabani mori 6.050 vota (88.13%), ndërsa Seferi 467 vota (6.80%). Për shkak të kësaj daljeje të ulët, zgjedhjet do të përsëriten, dhe data e rivotimit do të caktohet pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, por jo më vonë se 60 ditë. Deri në përsëritjen e votimit, Qeveria mund të emërojë një të besuar si ushtrues detyre kryetar komune. Edhe pse Seferi nuk e thotë hapur, postimi i tij mund të interpretohet si një paralajmërim se ai mund të jetë personi që pritet të emërohet në këtë rol. Ndërkohë, për Këshillin Komunal të Vrapçishtit rezultatet tashmë janë zyrtare: AKI ka fituar 13 këshilltarë, VLEN dhe Partia Demokratike Turke (PDT) nga një këshilltar secila. Komuna e Vrapçishtit mbetet për momentin pa kryetar të zgjedhur, ndërsa përplasjet politike mes dy kandidatëve po ashpërsohen në prag të caktimit të datës për rivotimit.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk