
Në Komunën e Bogovinës sot u zhvillua çeremonia e çertifikimit të këshilltarëve të rinj komunalë dhe kryetarit të sapozgjedhur të komunës, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.
Këshilli i ri komunal i Bogovinës do të numërojë gjithsej 19 këshilltarë, prej të cilëve 10 janë nga koalicioni AKI, ndërsa 9 nga koalicioni VLEN.
Ndryshe, nga Këshilli komunal, zgjedhjet për kryetar komune u fituan me diferencë minimale nga Feti Abazi i koalicionit VLEN. Gjatë ndarjes së çertifikatave, kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor të Bogovinës, Elez Sinani, uroi këshilltarët dhe kryetarin e ri për detyrën e marrë dhe u dëshiroi suksese në punën e ardhshme.

Pas marrjes së çertifikatës, kryetari i sapozgjedhur Feti Abazi u zotua se menjëherë do të fillojë me punë, duke paralajmëruar se hapi i parë do të jetë një “skanim i gjendjes së përgjithshme në komunë”, për të identifikuar prioritetet dhe sfidat kryesore.
Pas çeremonisë së çertifikimit, u realizua edhe pranim-dorëzimi i detyrës mes kryetarit të ri Feti Abazi dhe ish-kryetarit Besnik Emshiu. Ky i fundit theksoi se komunën dhe ndërmarrjet komunale i ka lënë pa borxhe, me 18 projekte në zhvillim dhe 5 milionë denarë në llogarinë komunale.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 tetor, për Këshillin Komunal koalicioni AKI mori 5,123 vota, VLEN 5,042 vota, ndërsa VMRO-DPMNE 191 vota.

Nga 29,088 votues të regjistruar, të drejtën e votës e ushtruan 10,844, prej të cilëve 458 fletëvotime rezultuan të pavlefshme. Në përbërjen e re të Këshillit Komunal të Bogovinës nga AKI do të jenë: Arton Haliti, Mamudije Selmani, Gëzim Rexhepi, Hamide Abdija, Fitore Imeri, Venhar Xhemaili, Sadri Sallahi, Hisa Rushiti, Merita Asani dhe Eugerta Selami. Nga VLEN: Florim Rakipi, Iljri Sinani, Malsore Ramadani, Semir Ibrahimi, Mereme Sinani, Musned Ferati, Xhevit Dauti, Lejlja Selmani Veliji dhe Faris Xhemaili.



