
Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler foli ashpër për gjendjen në sistemin gjyqësor, si dhe për qasjen e kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj Prokurorisë.
Aggeler në intervistën e saj në emisionin “Click Plus” në “TV21”, rikujtoi se SHBA deri tani kanë investuar “gjysmë miliardi euro” në gjyqësor, por rezultatet ende nuk janë në nivelin e pritur.
Ajo sqaroi se, edhe pse kryeministri nuk duhet drejtpërdrejt të zgjedhë prokurorë, ai ka përgjegjësi politike për të siguruar funksionimin e sistemit.
“Politikanët flasin për shumë gjëra, kjo është pjesë e rolit të tyre. Por në fund, kur shihen rezultatet, konfirmohet se ka ngecje”, shtoi Aggeler.
“Kemi investuar shumë vite dhe shumë para. Tani njerëzit e këtij vendi dhe kjo qeveri duhet të tregojnë rezultate”, tha ajo, duke shtuar se institucionet duhet të jenë motori i reformave, e jo përplasjet politike.



