LajmeMaqedoni

Të rinjtë po humbin besimin: 68% e shohin të ardhmen jashtë vendit

Hulumtimi i fundit i “Barometrit Ballkanik”, i realizuar në nivel rajonal, tregon se një e katërta e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se vendi nuk do të arrijë kurrë të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Veçanërisht shqetësuese janë të dhënat që lidhen me popullsinë e re. Sipas këtij hulumtimi, rreth 68 për qind e të rinjve në rajon mendojnë se e ardhmja e tyre është jashtë vendit, kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian, ku perceptojnë mundësi më të mira për punësim, standard më të lartë jetese dhe siguri më të madhe.

Hulumtimi evidenton një rritje të dukshme të euroskepticizmit, i cili lidhet me procesin e zgjatur dhe të pasigurt të integrimit evropian, bllokadat politike dhe ndjenjën e përgjithshme të stagnimit. Edhe pse një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të mbështesin perspektivën evropiane, një numër i konsiderueshëm shprehin dyshime serioze për realizimin e anëtarësimit.

Ndër arsyet kryesore për këto qëndrime përmenden faktorët ekonomikë, mungesa e besimit në institucionet, si dhe perspektivat e kufizuara për zhvillim personal dhe profesional. Hulumtimi nënvizon se vazhdimi i reformave dhe rikthimi i besimit në procesin evropian janë thelbësore për të frenuar largimin e të rinjve nga vendet e rajonit.

“Barometri Ballkanik” është një hulumtim periodik që mat qëndrimet e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mbi çështje kyçe politike, ekonomike dhe shoqërore, dhe shërben si tregues i rëndësishëm i opinionit publik në rajon.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk