Ikja nga referendumi është ikje nga populli dhe dëshmi se sa e madhe është tradhtia që kjo qeveri po e bën ndaj vendit dhe popullit të vet. Ikja nga referendumi është pasqyra e pafuqisë së kësaj Qeverie. Me këto fjalë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski iu drejtua qytetarëve gjatë shënimit të “Ilindenit”.
Ai bëri thirrje që të gjithë ta mbështesin referendumin dhe t’i japin shans popullit që ta marrë vetë vendimin për anëtarësim në BE me kushtet aktuale.
“Tash kush është më shumë për BE, ne që dridheshim për idenë që të kemi shtetin tonë të pavarur dhe sovran, Maqedoninë, që do të ishte pjesë e familjes së BE-së me dinjitetin e mbrojtur, emër dhe identitet, apo ata që tani e udhëheqin vendin e të cilët, ska vlerë evropiane që nuk e kanë shkelur e pështyrë, ose vlerë identitare që nuk e tregtuan. Të gjitha këto me vetëm një qëllim, që të vazhdojnë të pasurohen në kurriz të popullit”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar I VMRO-DPMNE-së.
Festën e Ilindenit e uruan edhe shumë figura të tjera të skenës politike në vend, dhe për shënimin e kësaj dite janë organizuar më shumë aktivitete nëpër disa qytete të Maqedonisë së Veriut./Alsat.mk