
Me afrimin e festave të fundvitit, në Maqedoninë e Veriut ka nisur të rritet përdorimi i mjeteve piroteknike, një praktikë që prej vitesh shoqëron periudhën e festimeve, por njëkohësisht paraqet rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë publike. Edhe pse fishekzjarrët dhe mjetet e tjera piroteknike përdoren tradicionalisht për të shtuar atmosferën festive, ato shpesh shkaktojnë lëndime të rënda, zjarre dhe shqetësim të gjerë, sidomos kur përdoren pa kujdes dhe jashtë rregullave të ligjit.
Institucionet shëndetësore raportojnë çdo fundvit rritje të ndjeshme të numrit të personave të lënduar nga mjetet piroteknike. Lëndimet variojnë nga djegie të lehta e deri te amputime të gishtërinjve, dëmtime të përhershme të shikimit, por ka pasur edhe raste me pasoja fatale. Grupmosha më e rrezikuar mbeten fëmijët dhe të rinjtë, të cilët shpesh bien pre e pakujdesisë ose e përdorimit të mjeteve të ndaluara. Edhe pse legjislacioni ndalon shitjen dhe përdorimin e mjeteve piroteknike pa leje, tregtia ilegale vazhdon të jetë e pranishme. Gjatë ditëve të fundit, MPB-ja ka ndërmarrë disa aksione në tregje të hapura dhe pika të dyshuara shitjeje, duke sekuestruar mijëra copë fishekzjarrësh e lëndësh shpërthyese. Autoritetet theksojnë se ky fenomen mbetet shqetësues dhe kërkon bashkëpunim të qytetarëve për ta luftuar.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te personat që i përdorin këto mjete. Shpeshherë, për shkak të pakujdesisë, fishekzjarrët shkaktojnë zjarre në banesa, automjete dhe objekte publike, duke rrezikuar jetën dhe pronën e njerëzve. Po ashtu, zhurmat e forta nga mjetet piroteknike ndikojnë rëndë tek kafshët shtëpiake dhe ato endacake, të cilat përjetojnë stres të madh dhe reagime të frikshme.
Organizatat për mbrojtjen e kafshëve çdo vit apelojnë për kufizimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, duke theksuar se pasojat e tyre bien jo vetëm mbi njerëzit, por edhe mbi kafshët dhe mjedisin. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që festimet e fundvitit t’i kalojnë me maturi, duke shmangur përdorimin e mjeteve piroteknike, sidomos atyre të blera në mënyrë ilegale. Festimet duhet të jenë simbol gëzimi dhe bashkimi, e jo shkak për lëndime, pasiguri apo tragjedi. Siguria dhe shëndeti i qytetarëve duhet të jenë mbi të gjitha./koha/



