
Sot zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash, të cilat do të mbahen më 11 janar 2026 në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë e Rostushë dhe Qendër Zhupë.
Zgjedhjet po përsëriten pasi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk u arrit niveli ligjor i pjesëmarrjes së votuesve.
Sipas afateve zyrtare, fushata zgjedhore fillon më 22 dhjetor 2025 dhe përfundon më 9 janar 2026 në mesnatë. Pas kësaj date do të hyjë në fuqi heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë nga mesnata e 9 janarit deri në mbylljen e vendvotimeve më 11 janar në ora 19:00.
Gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore është e ndaluar çdo formë e promovimit politik apo thirrje për votim.
Në këto katër komuna tashmë janë dorëzuar dhe pranuar kandidaturat për postet e kryetarëve të komunave. Sipas informacioneve të fundit të publikuara nga KSHZ dhe njoftimeve të kandidatëve, gara zgjedhore do të zhvillohet si vijon:
Në Gostivar, Valbon Limani është konfirmuar zyrtarisht si kandidat për kryetar komune, i cili ka shpallur kandidaturën dhe do të kërkojë rinovimin e besimit të votuesve. Nga koalicioni VLEN, kandidat është Nevzat Bejta, i cili më herët ka qenë në krye të komunës për dy mandate.
Në Vrapçisht, në garë janë kandidati i koalicionit AKI, Isen Shabani, si dhe një kandidat i pavarur i mbështetur nga VLEN dhe ASH – Sela, Zuhajrat Demiri, duke e bërë garën dy-palëshe.
Në Mavrovë e Rostushë, janë konfirmuar dy kandidatë nga partitë kryesore politike – një nga koalicioni udhëheqës dhe një nga LSDM apo koalicioni opozitar, ndërsa gara pritet të jetë e forte.
Ndërkohë, në Qendër Zhupë, krahas koalicioneve të drejtuara nga VMRO dhe LSDM, në garë do të jetë edhe një kandidat i Partisë Demokratike Turke.



