Serie A do dhe pak kohë të startojë dhe në mënyrë direkte dihet që do të kemi një përplasje titanësh këtë sezon.
Tre klubet favorite për ta fituar këtë Scudetto janë Inter, Milan dhe Juventus. Koeficientët e basteve nga ekspertët se cili do të jetë i aftë për të fituar këtë trofe, është Inter dhe më pas Juventus, ndërsa Milan zë vendin e tretë si favorit.
Të trija klubet kanë bërë një merkato të shëndetshme deri më tani në këtë pushim veror, ku të tre kanë përforcuar ekipin e tyre.
Pse Inter?
Inter sezonin e kaluar gaboi në muajin e fundit të kampionatit duke humbur pikë të cilat ishin të lehta në letër për t’u fituar. Gjithsesi, zikaltërit kanë kryer disa përforcime të konsiderueshme këtë merkato verore. Rikthimi Lukakut ishte i bujshëm. Zikaltërit kishin nevojë për një dyshe sulmi më pjellore, edhe pse në përgjithsi në skuadër ata janë të përfshirë pothuajse të gjithë në shënimin e golave. Dyshja Lautaro-Lukaku i ka dhënë rezultatet në dy sezone, atëherë kur Conte ishte trajneri i tyre. Mesfusha është përforcuar, me Kristjan Asllanin dhe Mkhitaryan të afruar. Lojtari i kombëtares shqiptare u afrua nga Interi me iden se do të ishte një zëvendësues i Brozovic, por në këto ndeshje përgatitore ka treguar vlerat e tij, dhe ka bërë Inzaghin të kuptojë se djaloshi shqiptar është më shumë se një rezervë, është një lider.
Mkhitaryan është një lojtar që do të përdoret për rotacione, por ekpserienca e tij do të nevojitet në fushën e lojës. Më pas kemi Brozovic-Barella-Calhanoglu, një treshe mesfushe me komandant kroatin, të cilët dinë shumë mirë se si të menaxhojnë situatat në fushën e lojës.
Krahët e mesfushës janë dobësuar pak që pas largimit të Perisic. Gosens në të djathtë dhe Dumfries në të majtë mund të jenë titullarët e padiskutueshëm të sezonit, të ndihmuar nga Darmian-Bellanova-Dimarco. Mbrojtja është një mur i vërtetë. Duke konsideruar që nuk do të ndryshojë deri në fund të merkato, Skrinar, De Vrij dhe Bastoni kanë treguar se janë së bashku një repart i egër, teknik dhe sulmues në të njejtën kohë. Portieri titullar mendohet se do të jetë Handanovic, por performanca e Onana në këto miqësore duket se do të lërë në hije eksperiencën e Handanovic. Zikaltërit janë një ekip që di të mbrohet dhe të sulmojë shumë mirë, ka qetësinë e duhur në mbrojtje dhe kontrollin madhështor në mesfushë, dhe një sulm që prodhon më shumë se 30 gola në sezon.
Pse Juventus?
Juventus ka nevojë të ngrejë kokë. Pasi la stafetën e Scudettos, gjërat nuk kanë shkuar mirë për ta.
Këtë merkato, ka realizuar disa goditje të mëdha me emër. Bremer, Di Maria dhe Pogba janë tre afrime të jashtëzakonshme, edhe pse francezi do ta nisë me vones sezonin pas dëmtimit që pësoi. Sulmi i Juves do të jetë me të vërtetë i rrezikshëm për kundërshtarët, me Vlahovic, Di Maria dhe Chiesa, i cili u rikuperua plotësisht nga një dëmtim i rëndë. Kjo treshe besohet se do të jetë pjellore në sasinë e golave të shënuar.
Mesfusha është kompakte dhe fizike, por edhe teknike. Pogba, Zakaria dhe Locatelli pritet të jetë treshja startuese për këtë sezon. Mbrojtja ndoshta nuk është premtuese, por ka brenda agresivitet dhe teknikë. Në të majtë Alex Sandro ose Cambiasso, në qendër dyshja Bremer-Bonucci dhe në të djathtë Cuadrado. Porta dihet që do të ketë gardianin polak, Szczesny.
Pse Milan?
Milan është kthyer në një ekip që beson deri në momentin e fundit. Këtë gjë e tregoi mirë sezonin e kaluar duke sfiduar një Inter të fuqishëm, edhe pse kishte pësuar disa largime të rëndësishme nga ekipi, me Hakimi, Eriksen, Lukaku dhe Conte.
Gjithsesi, Milan ka një ekip të përgatitur për sezonin e ri, dhe me një detyrë të vështirë, të mbrojë titullin kampion. Maignan në portë është siguri totale. Mbrojtja është e bukur, me një katërshe në prapavijë që tregon besim, edhe pse nuk duket aq e fortë sa e Interit. Theo Hernandez-Tomori-Kalulu-Calabria do të jenë gardianët. Mesfusha është e talentuar dhe me një teknikë ndoshta më të mirë nga dy ekipet e tjera rivale. Tonali, Benanncer, dhe De Ketelaere mund të jetë treshja startuese, dhe një sulm prej Leao-Giroud-Rebic.
Tre ekipet favorite për Scudetto do të përplasion brirët e tyre për të shkuar deri në fund, aq sa për të ngritur trofeun e madh të kampionatit italian. Rruga është shumë e gjatë, pengesa do të ketë pafund dhe gjendja fizike dhe psikologjike e ekipeve do të ketë më shumë rëndësi se sa vet emrat e përveçëm të përmendur./h.ll/albeu.com