GostivarLajme

Verdikti i kutive të votimit: Gostivari dhe Vrapçishti vulosin fitoren e AKI-së në zgjedhjet lokale

Pas përfundimit të zgjedhjeve të përsëritura lokale, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Valbon Limani, ka dalë fitues bindshëm në komunën e Gostivarit, duke riafirmuar mbështetjen e gjerë qytetare. Menjëherë pas përpunimit të rezultateve, Limani, së bashku me mbështetësit dhe simpatizantët e tij, festoi fitoren në sheshin qendror të qytetit.

Në fjalën e tij para qytetarëve, Limani shprehu mirënjohje për votuesit e Gostivarit dhe për diasporën, duke e cilësuar rezultatin si një dëshmi besimi dhe përgjegjësie. Ai theksoi se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim dhe se, me rikthimin në institucionin komunal,do të nisë menjëherë punën për realizimin e projekteve dhe prioriteteve të premtuara.

Festa e fitores u shtri edhe përtej Gostivarit, pasi AKI shënoi sukses edhe në komunën e Vrapçishtit. Kandidati fitues, Isen Shabani, iu bashkua manifestimit në sheshin e Gostivarit, ku përveç falënderimeve ndaj mbështetësve, përcolli edhe mesazhe politike drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kundërkandidatit të tij.

Valdet Xhaferi, përfaqësues i AKI-së dhe njëherësh kryesues i Këshillit të Komunës së Gostivarit, falënderoi votuesit, aktivistët, forumet partiake dhe drejtuesit e shtabeve zgjedhore në nivel lokal dhe qendror, duke e cilësuar rezultatin si një fitore kolektive të strukturave dhe elektoratit të AKI-së në Gostivar dhe Vrapçisht.

Ndërkohë, Nebi Rexhepi, Sekretar Organizativ i BDI-së, nga qendra e Gostivarit deklaroi se kjo fitore i takon popullit dhe se ajo përfaqëson vullnetin e qartë të qytetarëve të këtyre komunave.

Festimet kishin nisur që më herët në shtabin zgjedhor të AKI-së në Gostivar, ku gjatë procesit të numërimit të votave ishte i pranishëm edhe Arben Taravari, një nga liderët e AKI-së dhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Pas përfundimit të numërimit, Taravari e cilësoi rezultatin si shprehje të një “fryme të re fitoreje”, duke paralajmëruar vazhdimin e rrugëtimit politik drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat, sipas tij, pritet të mbahen brenda këtij viti.

Më vonë, festës iu bashkua edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili deklaroi se në raundin e parë të zgjedhjeve në këto dy komuna AKI-së, sipas tij, i ishte bërë padrejtësi përmes inxhinierive zgjedhore, sabotazhit dhe bojkotit.

Sipas rezultateve përfundimtare, në komunën e Gostivarit janë numëruar pothuajse 100% e votave. Valbon Limani ka fituar me 15.345 vota, që përbëjnë 64.48% të totalit, duke krijuar një diferencë prej 7.835 votash ndaj kundërkandidatit të tij, Nevzat Bejta nga koalicioni VLEN, i cili ka marrë 7.510 vota ose 31.56%. Numri i votave të pavlefshme ishte 944, ndërsa pjesëmarrja totale në votim arriti në 23.799 qytetarë. Në komunën e Vrapçishtit, pas përpunimit të 100% të votave, Isen Shabani nga AKI fitoi me 5.414 vota ose 61.59%, ndërsa kundërkandidati i tij i pavarur, i mbështetur nga VLEN, Zulhajrat Demiri, mori 3.135 vota ose 35.66%. Në këtë komunë u regjistruan 242 vota të pavlefshme, ndërsa në votim morën pjesë 8.791 qytetarë. Diferenca mes dy kandidatëve ishte 2.279 vota.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk