
Rezultati i zgjedhjeve lokale të ripërsëritura në Gostivar përfaqëson më shumë sesa një fitore individuale apo partiake. Ai duhet lexuar si një reagim i drejtpërdrejtë qytetar ndaj praktikave politike që kanë dominuar skenën lokale dhe qendrore për vite me radhë. Votuesit dëshmuan se Gostivari nuk pranon të trajtohet si territor i nënshtruar politikisht dhe as si objekt pazari elektoral.
Mbështetja për një kandidat të perceptuar si figurë familjare, njerëzore dhe pa ngarkesa korruptive tregon një ndryshim të qartë në kriteret e votimit. Qytetarët nuk votuan thjesht për përkatësi partiake, por për integritet personal dhe besueshmëri publike. Ky është një tregues i rritjes së ndërgjegjes politike dhe i lodhjes nga elitat tradicionale.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ky rezultat përbën një sanksion politik ndaj partive që kanë ndërtuar strategji mbi koalicione oportuniste, të motivuara nga interesa të ngushta pushteti. Këto praktika kanë prodhuar pasoja negative mbi interesin shoqëror dhe kanë cenuar veçanërisht pozicionin politik të shqiptarëve në nivel shtetëror. Vota në Gostivar sinjalizon refuzimin e këtij modeli përfaqësimi.

Zgjedhjet nxorën në pah edhe nevojën për rikonfigurimin e skenës politike, përmes largimit gradual të politikanëve të konsumuar dhe hapjes së hapësirës për aktorë të rinj politikë. Ky proces nuk është vetëm çështje gjeneratash, por edhe ndryshim i kulturës politike – nga pragmatizëm i zbrazët drejt përgjegjshmërisë dhe transparencës. Në plan më të gjerë, rezultati i Gostivarit krijon premisa për një qasje të re në marrëdhëniet shqiptaro–maqedonase.
Ai sugjeron se bashkëjetesa politike dhe funksionaliteti i shtetit nuk mund të ndërtohen mbi politika me prapavijë nacionaliste, por mbi marrëveshje të reja që respektojnë barazinë qytetare dhe interesin e përbashkët. Në këtë kuptim, Gostivari nuk ishte thjesht një rast zgjedhor i izoluar, por një indikator politik se shoqëria kërkon stabilitet institucional, përfaqësim të ndershëm dhe një orientim të qartë drejt së ardhmes.
Shkruan: Blerim Mustafi



