
Gjatë kësaj periudhe të vitit, institucionet shëndetësore po përballen me rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve me simptoma gripi dhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore te personat me sëmundje kronike. Mjekët bëjnë të ditur se virozat sezonale nuk kursejnë asnjë grupmoshë, duke prekur njësoj të moshuarit dhe fëmijët. Mjeku Marjan Siljanovski nga Shtëpia e Shëndetit në Gostivar – njëherit udhëheqës i njësisë së Ndihmë së Shpejtë, bën me dije se ditëve të fundit numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është rritur për rreth 30 për qind. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për viroza të stinës, por janë evidentuar edhe raste me simptoma gripi më të komplikuara, të cilat kanë kërkuar dërgim për hospitalizim.
Gati çdo vit në këtë periudhë evidentojmë numër të shtuar të pacientëve me simptoma gripi dhe përkeqsim të gjendjes shëndetësore në përgjithësi tek pacientët me sëmundje kronike. Në të shumtën e rasteve këto pacient përfundojnë në Spital. Viroza nuk kursen asnjë grup – moshë, kështuqë rrezikut i nënshtrohen si të moshuarit ashtu edhe fëmijët. Dua të them se ditëve të fundit numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është rritur për 30 përqind. Pacientët që kanë ardhë kanë qenë të prekur nga virozat e stinës, por kemi pas edhe pacientë me simptoma gripi tek të cilët kemi evidentuar edhe disa raste më të komplikuara e që më pas janë dërguar për hospitalizim.
Siljanovski sqaron se gjatë ditëve të javës numri i pacientëve është më i ulët, ndërsa gjatë fundjavave, sidomos në periudhë festash, fluksi rritet ndjeshëm. Aktualisht, gjatë ditëve të zakonshme kontrollohen rreth 100 pacientë në ditë, ndërsa gjatë vikendeve ky numër arrin deri në 250 pacientë për 24 orë. Sipas tij, bëhet fjalë për një situatë normale për këtë periudhë të vitit dhe se institucionet shëndetësore janë të përgatitura me terapinë e nevojshme, duke ndjekur rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ne brenda javës kemi më pak pacientë, por gjatë fundjavave, sidomos tani në periudhë festash kur kemi punuar më pak, në krahasim me muajt nëntor dhe dhjetor, kontrollojmë gjatë ditës rreth 100 pacientë në ditë, kurse vikendeve numri shkon edhe deri në 250 pacientë për 24 orë. Realisht gripi pritet të arrijë kulmin pas dy javëve. Është një situatë normale për këtë periudhë të viti, jemi të përgatitur me terapi dhe u përmbahemi rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Si masë parandaluese, mjekët rekomandojnë që pacientët me sëmundje kronike të respektojnë në kohë terapinë e caktuar, ndërsa të rinjtë të konsumojnë më shumë vitamina, lëngje dhe pije të ngrohta. Gjithashtu, këshillohet shmangia e ambienteve të mbyllura dhe të paajrosura, ku ka grumbullim të madh njerëzish.



