
Në Klubin e Deputetëve ka nisur sot takimi i liderëve politikë, i iniciuar nga kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Krahas Mickoskit, i cili shoqërohet nga koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, në takim marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i ZNAM-it dhe ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, si dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
Nga radhët e opozitës janë të pranishëm lideri i Levicës, Dimitar Apasiev, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, një karrige e zbrazët ishte lënë për liderin e opozitës, Venko Filipçe, i cili refuzoi ftesën dhe nuk merr pjesë në takim.
Sipas njoftimeve, në këtë takim pritet të diskutohen ligjet reformuese në fushën e drejtësisë, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, shfuqizimi i qeverisë teknike, si dhe çështje të tjera që do të propozohen nga pjesëmarrësit gjatë diskutimit.
Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik, me fokus në reformat institucionale dhe proceset zgjedhore, të cilat pritet të jenë në qendër të debatit ndërmjet pushtetit dhe opozitës.



