
Në takimin e liderëve te kryeministri Hristijan Mickoski u diskutua për qeverinë teknike, projektin “Safe City”, Kodin Zgjedhor dhe eurointegrimet.
Në takimin e liderëve te kryeministri Hristijan Mickoski u arrit një marrëveshje parimore që qeveria teknike të hiqet, me një kompromis të mundshëm që heqja të vlejë pas zgjedhjeve të ardhshme nëse tani nuk ka konsensus.
Liderët shprehën gatishmëri për mbështetje me dy të tretat për ndryshimet ligjore që do të mundësojnë nisjen e projektit “Safe City”, ranë dakord për konsultime urgjente për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si dhe për përshpejtimin e punës për Kodin Zgjedhor (një njësi zgjedhore, lista të hapura, prag 5%, pjesëmarrje më e madhe e diasporës).
Në fokus ishin edhe eurointegrimet. Për disa tema, kryeministri paralajmëroi se do të ketë takime më të shpeshta në periudhën e ardhshme. Një pjesë e zgjidhjeve për çështjet aktuale do të kërkohen edhe përmes grupeve parlamentare në Kuvend.
Ftesës së kryeministrit për takimin e liderëve iu përgjigjën kryetari i BDI, Ali Ahmeti, Bilall Kasami nga VLEN, sekretari i përgjithshëm i ZNAM-it dhe ministër i administratës publike, Goran Minçev, dhe kryetari i së Majtës, Dimitar Apasiev.
LSDM e refuzoi ftesën, duke porositur se nuk pajtohet me heqjen e qeverisë teknike.
Takimi zgjati pothuajse tre orë dhe, sipas pjesëmarrësve, kaloi në një atmosferë konstruktive.
Kryeministri Hristijan Mickoski e vlerësoi takimin si “të pjekur dhe konstruktiv” dhe theksoi se formate të tilla duhet të bëhen praktikë:
“Publiku ishte dëshmitar i një qasjeje ndryshe – debat i mbushur me ide dhe propozime. Për një pjesë të madhe të çështjeve kemi gjuhë të përbashkët, për disa pozicionet dallojnë, por kjo është normale. E rëndësishme është të tregojmë përgjegjësi para bashkësisë ndërkombëtare se vetë mund të marrim vendime të pjekura”, tha Mickoski.
Ai shtoi se është e domosdoshme të miratohet Ligji për Kundërvajtjet me shumicë prej dy të tretash që “Safe City” të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti.
“Për qeverinë teknike të gjithë të pranishmit u pajtuam se duhet t’i përkasë së kaluarës. Nëse nuk ka pajtim për zgjedhjet e ardhshme, atëherë të paktën për ato pasuese të mos ekzistojë. Vetëm për të dalë nga ngërçi, ne e pranojmë edhe këtë kompromis”, deklaroi kryeministri.
Mickoski paralajmëroi se do të vazhdojë komunikimi me opozitën:
“Pres propozime edhe prej tyre. Duhet të piqemi në këtë proces. Jam i kënaqur që pas 35 vitesh patëm një takim liderësh ku u ofruan zgjidhje, e nuk u gjeneruan probleme”.(INA)



