LajmeMaqedoni

Maqedonia e Veriut pa reagim për mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale

Ndërsa gjithnjë e më shumë shtete evropiane kanë nisur diskutime dhe po ndërmarrin masa konkrete për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet pa një reagim apo nismë institucionale në këtë drejtim.

Australia ka shërbyer si shembull i parë, duke ndaluar që nga muaji i kaluar fëmijët nën moshën 16 vjeç të krijojnë ose të mbajnë llogari në platformat kryesore të rrjeteve sociale. Këtë javë, diskutimeve iu bashkua edhe Britania e Madhe, ku kryeministri Keir Starmer paralajmëroi shtrëngimin e rregullave për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, duke theksuar rreziqet që lidhen me ankthin, krahasimin e vazhdueshëm dhe varësinë digjitale.

Sipas Starmer, qeveria britanike është e gatshme të ndërmarrë masa të fuqishme, duke u bazuar në prova shkencore dhe përvoja ndërkombëtare, përfshirë edhe mundësinë e ndalimit të mediave sociale për fëmijët. Ai shtoi se prindërit do të pajisen me udhëzime të qarta për kohën që fëmijët nga mosha pesë deri në 16 vjeç duhet të kalojnë para ekraneve.

Në kontrast me këto zhvillime, në Maqedoninë e Veriut nuk ka ende ligje specifike apo politika shtetërore që kufizojnë aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale sipas moshës. Edhe pse ka pasur debate publike dhe shqetësime nga ekspertë dhe prindër, deri më tani ato kanë mbetur vetëm në nivel diskutimi, pa masa konkrete apo iniciativa ligjore.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e reagimit institucional mund të lërë fëmijët të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta online, duke theksuar nevojën urgjente për politika mbrojtëse dhe edukim digjital.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk